Begaj uron Kosovën në 27-vjetorin e Çlirimit: NATO qëndroi në anën e drejtësisë, lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Një nga momentet më vendimtare të historisë së kombit tonë

Presidenti Bajram Begaj, ka uruar Kosovën me rastin e 27-vjetorit të Çlirimit të saj. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kreu i shtetit shqiptar vlerësoi sakrificën e mijëra burrave dhe grave, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë që kontribuuan në lirinë e Kosovës.
“Urime Ditën e Çlirimit, Kosovë! Liria e Kosovës erdhi në sajë të sakrificës sublime të mijëra burrave dhe grave, luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vendosmërisë së aleatëve tanë strategjikë”, shkroi Begaj.
Presidenti shprehu gjithashtu mirënjohje për rolin vendimtar të NATO gjatë luftës së vitit 1999, duke theksuar se ndërhyrja e aleancës ishte në mbështetje të drejtësisë, lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Në mesazhin e tij, kreu i shtetit shprehu respekt dhe mirënjohje për luftëtarët e UÇK-së, dëshmorët dhe të gjithë ata që kontribuuan për çlirimin e Kosovës.
“Faleminderit NATO-s që qëndroi në anën e drejtësisë, lirisë dhe dinjitetit njerëzor në një nga momentet më vendimtare të historisë së kombit tonë. Mirënjohje për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për sakrificën e dëshmorëve dhe të gjithë atyre që kontribuan për lirinë e Kosovës. Lavdi të përjetshme dëshmorëve të lirisë!”, nënvizoi Begaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




