Shqipëria drejt digjitalizimit të transportit të mallrave, prezantohet projektligji për informacionin elektronik

Aktualitet | 5 muaj më parë

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike shqyrtoi sot projektligjin “Për informacionin elektronik të transportit të mallrave”, një nismë që synon modernizimin e procedurave të transportit dhe harmonizimin e legjislacionit shqiptar me rregulloren e Bashkimit Evropian për informacionin elektronik të transportit të mallrave (eFTI).

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, gjatë prezantimit theksoi se projektligji është pjesë e Planit të Rritjes me Bashkimin Evropian dhe ka për qëllim krijimin e një baze ligjore që lejon paraqitjen dhe shkëmbimin elektronik të informacionit dhe dokumentacionit të kërkuar nga autoritetet për transportin e mallrave.

“Qëllimi i këtij projektligji është krijimi i bazës ligjore që informacioni dhe dokumentacioni i kërkuar nga autoritetet publike për transportin e mallrave të paraqitet dhe shkëmbehet në formë elektronike, duke zëvendësuar gradualisht procedurat tradicionale të bazuara në dokumente fizike. Në këtë mënyrë synohet modernizimi i proceseve administrative, rritja e efikasitetit operacional dhe reduktimi i barrës administrative për operatorët ekonomikë”, deklaroi Musabelliu.

Ai vuri në dukje se aktualisht operatorët e transportit janë të detyruar të dorëzojnë dokumente të shumta fizike, përfshirë letërdorëzime, CMR, dokumente doganore dhe për mallra të rrezikshme, si dhe certifikata dhe leje të ndryshme transporti. “Me miratimin e këtij projektligji dhe zhvillimin e platformës eFTI, të gjitha këto dokumente do të ruhen dhe ndahen në mënyrë digjitale përmes platformave të certifikuara, ndërkohë që organet inspektuese do të pranojnë dokumentacionin në version elektronik”, theksoi ai.

Musabelliu sqaroi se projekti parashikon krijimin e një sistemi të standardizuar dhe ndërveprues për shkëmbimin e të dhënave, duke garantuar që informacioni elektronik të përdoret dhe verifikohet në mënyrë të njëjtë nga të gjitha autoritetet përgjegjëse. “Ky ndryshim ligjor është veçanërisht i rëndësishëm për transportin ndërkombëtar. Ai krijon siguri juridike për operatorët ekonomikë dhe nxit përdorimin e zgjidhjeve digjitale në gjithë zinxhirin e transportit dhe logjistikës”, tha ai.

Sipas zëvendësministrit, projektligji pritet të ulë kostot administrative të bizneseve, të përshpejtojë procedurat e kontrollit dhe të përmirësojë komunikimin elektronik mes operatorëve ekonomikë dhe institucioneve publike. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e transparencës, gjurmueshmërisë dhe sigurisë së informacionit, duke garantuar ruajtjen e të dhënave sipas standardeve të integritetit, autenticitetit dhe mbrojtjes.

“Ky projektligj përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të tre sektorëve të transportit dhe logjistikës në Shqipëri, duke krijuar mundësinë për përdorimin e dokumenteve të standardizuara, përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, rritjen e efikasitetit të transportit dhe përparimin e mëtejshëm të vendit në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian”, nënvizoi Musabelliu.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme