Protestë në Rrjoll kundër punimeve për ndërtimin e një resorti turistik, banorët hedhin poshtë rrethimin metalik dhe futen në kantier, përplasen me policinë
Banorët e Rrjollit u ngritën sërish në protestë këtë të shtunë (13 qershor) për të kundërshtuar ndërtimin e një resorti turistik në zonë. Banorët u nisën drejt kantierit të punimeve, teksa nuk munguan edhe përplasjet me policinë. Protestuesit hodhën poshtë rrethimin metalik të vendosur, duke u futur brenda ambienteve të kantierit.
Protestuesit mbanin pankarta në duar me shkrime: “toka nuk preket”, ndërsa bënë thirrje kundër kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesit demokrat Sali Berisha.
Projekti për resortin shtrihet në një sipërfaqe prej 147.2 hektarësh ndërsa është kundërshtuar me forcë nga banorët e zones edhe më herët, për shkak të problemeve me pronësinë e tokës. Ata pretendojnë se tokat e tyre janë grabitur me dokumente false dhe më pas i janë shitur kompanisë ndërtuese.
Ata kanë depozituar një kërkesë zyrtare në Prokurori, ku kërkojnë një zgjidhje sa më të shpejtë ligjore lidhur me vërtetësinë e dokumenteve që disponojnë për pronësinë e tokës në zonën e Rrjollit, aty ku po ndërtohet resorti turistik.
Nga ana tjetër, kompania Gener 2 ka theksuar se projekti turistik është në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




