SPAK godet organizatën që trafikoi 50 ton kokainë, lëshohen 10 masa arresti dhe sekuestrohen 150 mln Euro pasuri /EMRAT

Aktualitet | 5 muaj më parë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka goditur një tjetër rrjet të dyshuar ndërkombëtar të përfshirë në trafikimin e kokainës dhe pastrimin e pastrimit të parave, duke lëshuar 10 masa arresti, si dhe duke vendosur sekuestro preventive mbi pasuri të shumta me vlerë rreth 150 milionë euro.

Mbi bazën e kërkesës së SPAK, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 10 shtetas shqiptarë, konkretisht: Nikoll Bibaj, ⁠Isa Aliu, Sokol Bibaj, Florjan Musaj, Armando Pacani, Denis Matoshi alis Eldi Dizdari, Naldi Yzeiraj, Oklid Aliu, Dritan Gjika, Shpëtim Aliu.

Ndaj tyre  rëndojnë akuzat:  “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Pastrim i produkteve të veprës penale”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grup i strukturuar kriminal”;

Deri më tani, në pranga ka rënë vetëm Florjan Musaj, ndërsa për 2 persona të tjerë që dyshohet se ndodhen në Shqipëri, vijojnë kërkimet. Ndërkohë, 7 personat e tjerë ndodhen jashtë vendit, ndërsa për arrestimin e tyre, SPAK thekson se është duke bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese të vendeve të tjera.

Ky rrjet kriminal drejtohej nga Dritan Gjika dhe Eldi Dizdari alias Denis Matoshi, dy emra mjaft të njohur të botës së krimit.

Gjika u arrestua 1 vit më parë në Abu-Dabi, ndërsa ishte një prej emrave më të kërkuar nga Ekuadori. Gjika konsiderohet si një prej drejtuesve të mafies së trafikut të drogës mes Kolumbisë, Ekuadorit dhe vendeve të BE-së.

Eldi Dizdari alias Denis Matoshi është një prej eksponentëve më të kërkuar nga drejtësia i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Prej vitesh tashmë është në kërkim nga drejtësia italiane ku Gjykata e Firences ka caktuar ndaj tij “arrest me burg” më 25 nëntor 2019 për trafik ndërkombëtar të kokainës.

Hetime ndërkombëtare dhe trafik masiv kokaine

Sipas dosjes hetimore, grupi kriminal ka operuar gjatë viteve 2019–2021 në Amerikën Latine dhe disa shtete të Europës, përfshirë Brazilin, Belgjikën dhe Holandën. Hetimet kanë krijuar dyshimin se janë trafikuar të paktën 50 ton kokainë, ndërsa janë dokumentuar 5 episode kryesore sekuestrimi që përfshijnë rreth 8.9 ton lëndë narkotike.

Ndër rastet e dokumentuara përfshihen sekuestrime në Belgjikë, Ekuador, Holandë dhe Kolumbi, me ngarkesa që variojnë nga qindra kilogramë deri në disa ton kokainë, të transportuara përmes porteve ndërkombëtare dhe rrjeteve detare tregtare.

Hetimet kanë provuar gjithashtu përdorimin e komunikimeve të enkriptuara dhe koordinimin e aktivitetit kriminal përmes strukturave të organizuara që përfshinin furnizimin, transportin, magazinimin dhe shpërndarjen e drogës në tregjet europiane.

Dyshime për pastrim parash dhe investime në ndërtim e biznese

Paralelisht me trafikun e drogës, SPAK ka dokumentuar edhe skema të pastrimit të parave, ku të ardhurat e përfituara dyshohet se janë futur në Shqipëri në formë cash dhe më pas janë investuar në pasuri të paluajtshme, projekte ndërtimi dhe shoqëri tregtare.

Sipas hetimeve, këto fonde janë përdorur për të financuar kompani në sektorin e ndërtimit, hotelerisë dhe konsulencës, si dhe për blerje kuotash në shoqëri tregtare me qëllim fshehjen e origjinës së parave.

Sekuestro masive pasurish dhe 209 llogari bankare

Me vendim të Gjykatës së Posaçme, janë vendosur masa sekuestro preventive mbi rreth 491 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, përfshirë vila, apartamente, hotele, truall, kompani, automjete luksoze dhe mjete lundruese.

Në total, janë sekuestruar 209 llogari bankare, dhjetëra shoqëri tregtare dhe pasuri të paluajtshme në Tiranë, Durrës, Himarë, Sarandë, Shkodër dhe zona të tjera, përfshirë komplekse rezidenciale dhe turistike në bregdet.

Ndër pasuritë e sekuestruara përfshihen edhe projekte të mëdha ndërtimi dhe hotelerie, si dhe qindra apartamente, vila dhe njësi tregtare në zona të ndryshme të vendit.

Vlera e përgjithshme e pasurive të sekuestruara, sipas SPAK, arrin në rreth 150 milionë euro, ndërsa verifikimet për vlerësimin përfundimtar vijojnë.

Lista e pasurive të sekuestruara:

Shoqëri tregtare dhe aksione

Shoqëria “A.. R.. H…” sh.p.k (me seli në disa qytete të vendit), së bashku me të gjitha asetet dhe kuotat

Shoqëria “G…I…” sh.p.k (Tiranë dhe Fier) – 50% e kuotave

Shoqëria “S…d…” sh.p.k (Hamallaj, Durrës) – 100% e kuotave

“A.R.H. Security” sh.p.k – 100% e kuotave

Shoqëria “A… C…” sh.p.k

Shoqëria “F&XH C…” sh.p.k

Shoqëria “A…–I…” sh.p.k

Shoqëria “S.T.N.P.M” sha – 50% e kuotave

Subjekti tregtar “Sh. B” PF – 100% e kuotave

Subjekti “O…E.O…” PF

Pasuri të paluajtshme (tokë, truall, ndërtime)

266 pasuri të paluajtshme (tokë arë, truall, apartamente, hotele, poste parkimi) në Tiranë, Durrës, Elbasan, Lezhë, Shkodër, Himarë, Sarandë etj.

121 pasuri në kompleksin “Porto Lalzi / Lalzi Marina Seaside” (Hamallaj, Gjiri i Lalzit)

Strukturë hotelerie 1–4 kate mbi tokë dhe 4 nëntokë në Dhërmi (Himarë)

Godinë 6 kate shërbimi dhe banimi në Qerret, Kavajë (2855 m²)

“Hotel Elisa Tirana” (i lidhur me brandin Melia)

Vila në “Altrea Residence”, Tiranë

Vila në “Diamond Hill” dhe “Braca Residence”, Durrës

Vila në zonën Mjull Bathore dhe “Astoria Residence”

32 apartamente, 6 njësi tregtare dhe 52 parkime në rr. Xhanfize Keko, Tiranë

Kompleks banimi në rr. “Herman Gmeiner”

Godinë banimi dhe shërbimi në rr. “Ali Visha”, Tiranë

Pasuri të ndryshme në Kodër-Kamëz (Tiranë)

Hotele dhe struktura turistike

Hotel në Lungomare, Vlorë

Strukturë hotelerie në Dhërmi (Himarë)

Objekt hotelerie në Tiranë (godinë shumëkatëshe me funksion turistik dhe banim)

Mjete lundruese dhe automjete

Mjete lundruese (përfshirë gomone dhe mjete 13.8 m gjatësi)

Automjete luksoze: Audi S8, Mercedes-Benz G-Class

Automjete teknologjike dhe mjete transporti për ndërtim

Ekuivalent monetar 15,000 euro nga shitja e një automjeti Land Rover

Llogari bankare dhe mjete financiare

209 llogari bankare në banka të nivelit të dytë

336 llogari të tjera të lidhura me persona fizikë dhe juridikë

Vlera të sekuestruara në kompani: mbi 6.2 milionë euro dhe 9 milionë lekë

Vlerë shpronësimi e bllokuar: 352,859,661 lekë

Truall dhe pasuri të tjera

Truall në Sallmone, Shijak + 58 milionë lekë nga shitja

Truall në Sarandë

11 pasuri me sipërfaqe mbi 113,000 m² në Gjilekë, Vlorë

Truall në Rr. “Dervish Hima”, Tiranë (315.2 m²)

7. Kuota dhe pasuri të tjera financiare

Dhjetëra shoqëri ndërtimi dhe investimi

Pasuri të lidhura me projekte rezidenciale dhe turistike në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe zonat bregdetare

Asete në kompani ndërtimi dhe zhvillimi pasurish të paluajtshme

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Njoftimi i plotë i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të procedimit penal nr. 138 të vitit 2020, ka finalizuar një operacion kompleks kundër një grupi të strukturuar kriminal, i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimin e produkteve të veprës penale, të dyshuar për veprat  penale:

  1. “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal;
  2. “Pastrim i produkteve të veprës penale”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal;
  3. “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grup i strukturuar kriminal”;

Këto vepra janë të parashikuara  përkatësisht nga nenet 28/4, 283/a, 287, 333/a  dhe 334 të Kodit Penal.

Mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.36, datë 15.6.2026, ka caktuar masën e sigurimit personal shtrëngues,“Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për 10 shtetas shqiptarë:

  • S.A
  • D.GJ
  • D.M
  • A.P
  • S.B
  • F.M
  • O.E
  • N.Y
  • N.B
  • I.A.

Në datën 16.6.2026 Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bërë kontrolle të banesave dhe vëndeve të tjera për të kryer ekzekutimin e masave të sigurimit. Gjatë operacionit u ekzekutua masa e sigurimit ndaj personit nën hetim F.M.

Ndërkohë, vazhdojnë kërkimet për gjetjen dhe arrestimin e 2 personave të tjerë, të cilët dyshohet se ndodhen në Shqipëri, ndërsa 7 persona nën hetim nuk ndodhen në Shqipëri. Për arrestimin e tyre SPAK është duke bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese të vëndeve të tjera.

Në zbatim të vendimeve gjyqësore janë zhvilluar 23 kontrolle ndaj personave, banesave, zyrave të shoqërive tregtare dhe personave fizikë.

Trafikimi ndërkombëtar i lëndëve narkotike                                                                                                              

Gjatë viteve 2019-2021, ky grup ka operuar në Amerikën Latine, Brazil, Belgjikë dhe Holandë. Nga hetimet e kryera është krijuar dyshimi se të hetuarit kanë trafikuar për periudhën e mësipërme të paktën 50 ton kokainë.

Gjatë hetime janë mbledhur provat e nevojshme, prej të cilave janë provuar 5 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha. Gjatë tyre janë sekuestruar në total 8 ton e  960 kg lëndë narkotike e llojit kokainë dhe konkretisht:

Episodi 1 – 11 Maj 2020 – Trafikimi i një sasie prej 700 kilogramë lëndë narkotike të llojit kokainë, e sekuestruar  në portin e Waasland (Antverp), Belgjikë, e gjetur në një kontejner me pjesë këmbimi makinash, i shkarkuar nga një anije e ardhur nga Kina.

Episodi 2 –   6 Qershor 2020 – Tentativa e trafikimit të një sasie prej 2010 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e sekuestruar në Guayaquil, Ekuador. Lënda narkotike  kishte si destinacion përfundimtar të saj Holandën dhe  kishte të stampuar tre logo të ndryshme (Jaguar, Shqiponjë dhe BB).

Episodi 3 – 16 Gusht 2020 – Trafikimi i një sasie prej 1100 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e sekuestruar në  Roterdam të Holandës. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador.

Episodi 4 – 16 Dhjetor 2020–  Trafikimi i një sasie prej 4.1 ton lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në portin e Roterdam, Holandë. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador.

Episodi 5 – 03 shkurt 2021–  Tentativa e trafikimit të një sasie prej 1 ton e 50  kg lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në Kolumbi me destinacion final Francën .

Hetimet kanë treguar se përveç episodeve të mësipërme, anëtarët e grupit kriminal kanë trafikuar nga Amerika Latine në drejtim të vendeve të Europës dhjetëra tonelata të tjera kokainë, e cila është trafikuar dhe tregtuar te persona të tjerë. Nga realizimi i kësaj veprimtarie janë siguruar të ardhura të konsiderueshme.

Pastrimi i parave

Nga hetimet është provuar se një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës janë transferuar në Shqipëri, në formën monetare “cash” për të shmangur sistemin bankar në fazën e parë dhe më pas janë investuar në pasuri të paluajtshme, në krijimin dhe blerjen e aksioneve të kompanive tregtare, shoqëri të ndryshme kryesisht në fushën e ndërtimit, hotelerisë, konsulencës etj.

Përmes këtyre investimeve dyshohet se është realizuar pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale, duke fshehur origjinën e tyre të paligjshme dhe duke mundësuar integrimin e tyre në ekonominë dhe qarkullimin financiar të ligjshëm.

Pas injektimeve të parave “cash” në llogaritë e kompanisë “A.. R.. H…” sh.p.k, me qëllim “justifikimin” e investimeve të ardhshme, në muajt Maj 2021 – Qershor 2021, rezulton se kompania “A.. R.. H…” sh.p.k, ka filluar aktivitetin e saj në sektorin e ndërtimit. Dyshohet se, për të mos tërhequr menjëherë vëmendjen nga strukturat ligjzbatuese, personi nën hetim I.A., orientoi që kompania të shfaqej fillimisht si nënkontraktore për ndërtim banesash. Shfaqja e kompanisë në këtë mënyrë, do të “justifikonte” sërish flukset e ardhshme të parave cash dhe shtrirjen e pritshme në sektorin e ndërtimit.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se skema e pastrimit të parave është realizuar përmes blerjes fiktive të kuotave të kapitalit në shoqëri tregtare, me çmime shumëfish më të ulëta se vlera nominale, për të marrë kontrollin e kompanive me kosto minimale. Fondet janë qarkulluar përmes huave mes personave fizikë dhe kompanive të lidhura, me qëllim krijimin e një historiku ekonomik fiktiv dhe humbjen e gjurmës së origjinës së parave, përpara integrimit të tyre në ekonominë formale.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.438 datë 15.6.2026 ka vendosur masën e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive”, të parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale në lidhje me 491 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, në pronësi të drejtpërdrejtë, apo të tërthortë të personave nën hetim, ku përfshihen pasuritë si më poshtë:

  1. Pasuritë e shoqërisë “A.. R… H..” sh.p.k, me seli në Tiranë, Elbasan, Durrës, Korçë, etj, në zotërim të personit nën hetim I.A, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete të kompanisë tregtare, të drejta reale ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë; 
  2. Pasuritë e shoqërisë “G…I…”, sh.p.k, me seli qendrore në Tiranë dhe Fier në masën 50 % , të cilat i përkasin personit nën hetim I. A., duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë;
  3. Pasuritë e shoqërisë “S… d…” shpk, me seli qendrore në Hamallaj, Durrës, në masën 100 %, të cilat i përkasin personit nën hetim I. A., duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë;
  4. Kuotat e shoqërisë “A.R.H. Security shpk, me seli qendrore në Tiranë dhe Elbasan në masën 100 %, të cilat i përkasin personit në hetim I. A., duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë;
  5. Pasuritë e shoqërisë “A… C…” sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë;
  6. Pasuritë e shoqërisë “F&XH C…” sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë;
  7. Pasuritë e shoqërisë “A…– I…”, sh.p.k, me seli qendrore në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë;
  8. Kuotat e shoqërisë “S.T.N.P.M sha”, me seli qendrore në Tiranë, në masën 50 % , të cilat i përkasin ortakut Shoqërisë “A… – I…” duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë në masën 50 %;  
  9. Kuotat e subjektit tregtar “Sh. B” Person Fizik, me seli qendrore në Tiranë në masën 100 %, të cilat i përkasin ortakut “SH. B.” duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë;
  10. Pasuritë e subjektit tregtar “O …E. O…” PF, person fizik me seli qendrore në Elbasan duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.
  11. 266 pasuri të paluajtshme të llojeve tokë arë, tokë truall, hotel, poste parkimi dhe apartamente, me vendndodhje në Tiranë, Durrës, Elbasan, Hamallaj, Lezhë, Shkodër, Himarë, Sarandë, ndër të cilat mund të listojmë: 
    • 121 pasuri të paluajtëshme, si vila , Apartamente, Duplexe,  parkime, etj. tek “Kompleksi multi-funksional turistik, rezidencial dhe komercial (Porto Lalzi/Lalzi Marina Seaside)”, me vendndoddhje në Hamallaj, Gjiri i Lalzit Durrës.
    • Strukturë funksion hoteleri 1,2,3,4 kate mbi tokë dhe 4 nëntokë, me vendndodhje në Dhërmi, Bashkia Himarë;
    • Sipërfaqe ndërtimore prej 2855 m2, në objektin 6 kate shërbimi e banimi ndodhur në Qerret Kavajë;
    • Objekti “Hotel Elisa Tirana”, afilated by Melia “Strukturë Hoteleri 2, 4, 5, 8 dhe 10 kat ne 3 kat nëntokë në adresë në rrugën e Dibrës” Tiranë
    • Vila në kompleksin Altrea Rezidence,. Tiranë;
    • Vile ne Diamond Hill;
    • Vila dhe njësi shërbimi në “Braca rezidencës Diamond Hill”, në Durrës;
    • Pasuri të paluajtëshme ne kompleksi rezidencial vilash në zonën e Mjull Bathores Tiranë, në “Astoria Residence;
    • 32 apartament, 6 njësi tregtare /zyra dhe 52 parkime tek Godina e banimit dhe shërbime me 1,8, 9 dhe 34 kate mbi tokë dhe 4 kate nëntokë me vendndodhje në rr. Xhanfize Keko, Tiranë;
    • 2 objekte banimi 2 dhe 3 kate me 2 dhe 3 kate nëntokë (banim dhe parkim) me mur rrethues, rr. “Herman Gmainer”;
    • Disa pasuri të paluajtëshme në Godinë banimi dhe shërbime 2,5,7 dhe 9 kate me 2 kat parkim nëntokë” Rr. Ali Visha Njësia  2, Tiranë.
  1. Automjete të markave dhe llojeve të ndryshme (automjete teknologjike për ndërtim, transport mallrash apo autovetura dhe mjete lundruese;
  2. 209 llogari bankare që u përkasin personave të ndryshëm juridikë apo fizikë, si dhe shtetasve nën hetim, apo personave të lidhur me ta.

Vlera totale e pasurive të sekuestruara dyshohet të jetë rreth 150 (njëqind e pesëdhjetë ) milionë euro. Gjatë hetimeve do të verifikohet vlera e saktë e pasurive të sekuestruara.

Më 16 Qershor 2026, Policia e Shtetit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive kanë nisur procedurat për zbatimin e vendimit të sekuestrimit të pasurive të mësipërme.

SPAK falënderon Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara për bashkëpunimin e tyre në fazën e ekzekutimit të masave të sigurisë.

Mirënjohje e veçantë për Eurojust, Europol, autoritetet gjyqësore të Ekuadorit, Francës, Kolumbisë, Holandës, NCA dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese në Shqipëri, për bashkëpunimin intensiv dhe ndihmën në kuadër të hetimeve të këtij proçedimi penal.



Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme