Protesta kundër resortit në Zvërnec hyn në ditën e 17-të, marshimi ndalet përpara Kryeministrisë me kërkesa politike
Tubimet qytetare kundër projektit turistik në zonën e Zvërnecit kanë shënuar ditën e tyre të 17-të radhazi në kryeqytet. Protesta, e cila nisi fillimisht si një reagim ndaj ndërtimit të një resorti masiv me vlerë investimi prej 4 miliardë dollarësh, ka pësuar një zgjerim të kërkesave të saj gjatë ditëve të fundit.
Marshimi i sotëm nisi me grumbullimin e qytetarëve në sheshin “Skënderbej”, nga ku pjesëmarrësit përshkuan bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u pozicionuar përpara godinës së Kryeministrisë.
Ndonëse shkaku fillestar i organizimit të këtyre tubimeve bazohej në mbrojtjen e ekosistemit të Zvërnecit dhe Nartës nga ndikimi i mundshëm i infrastrukturës hoteliere, pas dy javësh qëndresë lëvizja ka marrë tone të qarta politike. Kërkesat e artikuluara nga demonstruesit janë pozicionuar hapur kundër qeverisë dhe klasës politike në tërësi, duke kërkuar ndryshime rrënjësore ligjore.
Kërkesat kryesore të protestuesve janë rishikimi dhe shfuqizimi i paketave ligjore që lidhen me investimet strategjike dhe mjedisin në Shqipëri; dorëheqja e kryeministrit Edi Rama; reformimi i të gjithë lidershipit politik në vend.
Përpara godinës së qeverisë, demonstruesit kanë shfaqur qëndrimet e tyre përmes pankartave, flamujve dhe thirrjeve të njëpasnjëshme drejtuar krerëve të politikës shqiptare. Retorika e përdorur gjatë tubimit të sotëm ka pasur si emërues të përbashkët disa thirrje dominuese:
“Rama jepe dorëheqjen”, “Narta, Zvërneci në fyt do ju ngecin”, “Shqipëri e re” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”.
Tubimi ka vijuar përpara selisë së Këshillit të Ministrave, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se qëndresa do të vazhdojë deri në përmbushjen e pikave të parashtruara prej tyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




