Syri i Kaltër tërheq vizitorët, të mahnitur nga ujërat e kristalta dhe natyra piktoreske
Syri i Kaltër po përjeton një fluks të lartë turistësh gjatë kësaj periudhe , duke u konfirmuar edhe një herë si një nga destinacionet më të preferuara në jug të Shqipërisë. I njohur për bukurinë e tij të veçantë natyrore, burimi karstik tërheq çdo ditë vizitorë nga vende të ndryshme të botës,
“Vendosëm të vinim këtu pasi dëgjuam se Shqipëria po bëhet gjithnjë e më e njohur si destinacion turistik. Deri tani kemi kaluar një eksperiencë shumë të bukur dhe na ka pëlqyer veçanërisht kjo mrekulli natyrore .”, u shpreh një turist.
“Kishim dëgjuar se Syri i Kaltër është një nga vendet më të rëndësishme për t’u vizituar në Shqipëri. Para se të vinim këtu kemi vizituar Tiranën, Beratin, Ksamilin dhe Sarandën. Pritshmëritë tona ishin shumë të larta, pasi kishim parë shumë fotografi dhe video. Mendoj se është një vend i bukur, jam e lumtur që e vizitova dhe e përjetova nga afër.”, tha një turiste.
Vizitorët që mbërrijnë në këtë destinacion shprehen të impresionuar nga natyra e paprekur dhe pastërtia e ujit, temperatura e të cilit mbetet e ulët gjatë gjithë vitit.
“Vendi është vërtet i mrekullueshëm. Uji është jashtëzakonisht i pastër, me një ngjyrë të bukur dhe shumë i freskët. Natyra përreth krijon një atmosferë qetësuese dhe të veçantë. Është një nga ato vende që të lënë mbresa dhe që ia vlen t’i vizitosh të paktën një herë. Kemi bërë shumë fotografi dhe do t’ua rekomandojmë edhe miqve tanë ta vizitojnë.”, tha një tjetër turiste.
Rritja e numrit të vizitorëve dëshmon se Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në hartën ndërkombëtare të turizmit. Syri i Kaltër mbetet një nga atraksionet kryesore që promovon pasuritë natyrore të vendit dhe kontribuon në zhvillimin ekonomik të zonës.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




