Shqipëria ashpërson rregullat për monitorimin e gazeve serrë në kuadër të integrimit në BE

Ministria e Mjedisit ka përgatitur një projektvendim të ri që synon ndryshime të thella në sistemin kombëtar të monitorimit dhe raportimit të Gazeve me Efekt Serrë (GES). Dokumenti, i cili synon të amendojë Vendimin nr. 889 të vitit 2022, vjen si detyrim i Republikës së Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit me Rregulloren 2018/1999 të Bashkimit Evropian, në kuadër të Kapitullit 15 të negociatave për anëtarësim.
Drafti kalon nga një sistem i thjeshtë raportimi në një kornizë të standardizuar dhe analitike, duke forcuar kontrollin mbi politikat klimatike dhe duke e integruar Shqipërinë në rrjetin evropian të monitorimit.
“Projektvendimi synon të thellojë procesin e përafrimit me legjislacionin e BE-së në fushën e ndryshimeve klimatike duke nxitur kapacitetin monitorues, raportues dhe verifikues në vend të GES”, thuhet në relacionin shpjegues të dokumentit.
Krijimi i regjistrit elektronik
Një nga ndërhyrjet kryesore të aktit të ri rregullator është ngritja dhe digjitalizimi i regjistrave kombëtarë. Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) merr rolin kyç në mirëmbajtjen e regjistrit elektronik kombëtar (SIM), i cili do të lidhet drejtpërdrejt me mekanizmat e Marrëveshjes së Parisit dhe sistemin e tregtimit të emetimeve të Bashkimit Evropian (ETS). Regjistri do të përfshijë refuzim automatik të të dhënave të pasakta, duke garantuar integritet dhe gjurmueshmëri.
Akti vendos për herë të parë cikle të detyrueshme të rishikimit të inventarit të gazeve serrë për vitet 2027 dhe 2032. Këto cikle do të garantojnë përditësimin e vazhdueshëm të të dhënave, përfshirjen e substancave të reja ndotëse dhe llogaritjen e potencialeve të ngrohjes globale sipas legjislacionit evropian.
Ndryshimet metodologjike
Projektvendimi parashikon rregulla të rrepta për sektorin e përdorimit të tokës, ndryshimit të përdorimit të tokës dhe pyjeve (LULUCF), duke vendosur detyrimin për kontabilitetin e tokave që ruajnë sasi të mëdha karboni.
Sipas tekstit zyrtar, harmonizimi me standardet ndërkombëtare do të kërkojë mjete të reja teknologjike:
“Për monitorimin dhe raportimin në sektorin LULUCF, RSH-ja do të përdorë të dhënat gjeografike mbi konvertimin e përdorimit të tokës, të shprehura gjeografikisht, në përputhje me udhëzimet e Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (në vijim, PNNK/IPCC) të vitit 2006, për inventarët kombëtarë të GES.”
Ndryshimet metodologjike do të transformojnë thellësisht mënyrën e matjes së ndikimit mjedisor. Relacioni thekson kalimin drejt analizave shkencore dhe skenarëve të strukturuar, duke synuar:
“Ngritjen e raportimeve nga një nivel i thjeshtë i shkarkimeve absolute në një sistem të standardizuar të intensitetit të CO₂ sipas sektorëve ekonomikë dhe konsumit të energjisë.”
Përgjegjësitë institucionale
Zbatimi i këtyre rregullave nuk do të sjellë efekte financiare për buxhetin e shtetit. Përgjegjësia do të ndahet ndërmjet disa institucioneve, ku Ministria e Mjedisit do të drejtojë dhe koordinojë procesin, ndërsa institucione si AKM dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit (AKP) do të merren me zbatimin teknik.
Mbikëqyrja e procesit do t’i nënshtrohet kontrollit ndërkombëtar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë dhe Konventa Kuadër e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC). Koordinimi mes palëve kombëtare dhe Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë theksohet si i detyrueshëm, duke përfshirë shqyrtimin e Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës (NECP).
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




