Bordi i transparencës përcakton çmimet e reja të karburanteve, gazoili do të shitet me 176 lekë dhe benzina me 166 lekë

Bordi i Transparencës, në mbledhjen e tij të datës 17 Qershor 2026, ka përcaktuar kuotat e reja tavan të shitjes së karburanteve në tregun vendas. Vendimi i ri, i cili reflekton aplikimin e metodologjisë zyrtare të monitorimit, vjen me një paralajmërim të prerë për pezullim aktiviteti ndaj të gjithë operatorëve të shumicës dhe pakicës që refuzojnë të zbatojnë çmimet e përcaktuara.
Sipas njoftimit zyrtar, koordinimi ndërinstitucional mbetet i angazhuar në mbikëqyrjen e strukturës së tregut:
“Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.”
Pasqyra e çmimeve tavan të shitjes
Treguesit e rinj të tregtimit të nënprodukteve të naftës hyjnë në fuqi sot, datë 17 Qershor, në orën 13:00, dhe do të mbeten të vlefshëm deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit. Ndarja sipas llojit të karburantit paraqitet si më poshtë:
Gazoili (standardi SSH EN 590)
Çmimi i shitjes me pakicë caktohet jo më shumë se 176 lekë/litri, ndërsa ai i shitjes me shumicë jo më shumë se 164 lekë/litër.
Benzina (standardi SSH EN)
Çmimi i shitjes me pakicë fiksohet në jo më shumë se 166 lekë/litri, ndërsa tregtimi me shumicë do të bëhet jo më shumë se 154 lekë/litër.
Gazoili për peshkim
Referuar kritereve të përcaktuara në legjislacionin specifik, çmimi i shitjes për këtë kategori rezulton 81 lekë.
Regjimi i plotë i akcizës dhe përjashtimet ligjore
Në kuadër të transparencës me opinionin publik, Bordi ka sqaruar edhe funksionimin e paketës fiskale mbi karburantet. Referuar Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, niveli i akcizës ulet në masën 80% vetëm nëse çmimet me pakicë kalojnë kuotën kritike prej 220 lekë/litri për gazoilin dhe 200 lekë/litri për benzinën.
“Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.”
Nga ana tjetër, kuota e reduktuar prej 81 lekësh për gazoilin e peshkimit mbështetet në përjashtimet e parashikuara nga Ligji “Për taksat Kombëtare” dhe Ligji “Për akcizat në RSH”. Sipas këtyre dispozitave, anijet e peshkimit përjashtohen plotësisht nga taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe detyrimet e akcizës, në sasitë dhe kriteret e përcaktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




