Buxheti tejkalohet me 17 miliardë lekë, pagat dhe konsumi rrisin arkën e shtetit, të ardhurat +11.2%
Rritja e pagave në ekonomi, formalizmi i tregut të punës dhe zgjerimi i konsumit janë faktorët kryesorë që kanë mbështetur performancën pozitive të financave publike gjatë pesë mujorit të parë të vitit 2026.
Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Financave, të ardhurat totale arritën në 340.5 miliardë lekë, ose 11.2% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke tejkaluar planin me 5.3%. Kontributin më të madh e dhanë të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, të cilat u rritën me 18.1%, si dhe TVSH-ja neto në vend, e cila shënoi një rritje prej 17.6%.
Një tjetër tregues i rëndësishëm është rritja me 12.8% e të ardhurave nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, çka sugjeron zgjerim të numrit të kontribuuesve dhe nivel më të lartë të deklarimit të pagave. Edhe të ardhurat e mbledhura nga administrata tatimore tejkaluan planin me mbi 5%.
Nga ana tjetër, disa zëra mbetën nën pritshmëri. Tatimi mbi fitimin u realizua vetëm në 86% të planit, ndërsa renta minerare në rreth 78%, duke reflektuar vështirësi në performancën e disa sektorëve ekonomikë.
Ndërkohë, shpenzimet publike u rritën me 7.4%, ritëm më i ulët se ai i të ardhurave, duke treguar një përmirësim të pozicionit fiskal dhe më shumë hapësirë për investime dhe menaxhimin e financave publike gjatë pjesës së mbetur të vitit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




