Balla: Shqipëria drejt BE-së, mbështetje e gjerë në Parlamentin Evropian. Nuk ekziston Parku Kombëtar “Vjosë-Nartë”, ka pasur keqkuptime në raport

Aktualitet | 5 muaj më parë

Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se në Parlamentin Evropian ekziston një shumicë e gjerë mbështetëse për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke vlerësuar miratimin e raportit për Shqipërinë si një pasqyrim të progresit të vendit drejt integrimit evropian.

Në një deklaratë për mediat, Balla falënderoi grupet kryesore politike në Parlamentin Evropian, përfshirë Partitë Popullore Evropiane, Socialistët dhe Demokratët, konservatorët, si dhe të gjithë eurodeputetët që votuan pro raportit.

Sipas tij, raporti konfirmon se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe se në Strasburg e Bruksel ekziston pritshmëria që Shqipëria, së bashku me Malin e Zi, të bëhen dy anëtarët e rinj të BE-së brenda mandatit aktual të Parlamentit Evropian.

“Në parlamentin Evropian ka një shumicë e cila shkon përtej grupimeve tradicionalisht mbështetëse të zgjerimit. Dua të falënderoj grupin e partive popullore evropiane, grupin e socialistëve demokratëve, konservatorët dhe për këdo që votoi për raportin e shilderit një raport i cili është një pasqyrë e qartë e realitetit të pamohueshëm që Shqipëria ka bërë hapa shumë të mëdhenjtë drejtë anëtarësimit në BE, pritshmëria në Strasbug apo në Bruksel Shqipëria bashkë me Malin e Zi të jenë dy anëtarët e rinj të BE-se brenda këtij mandati të PE”, u shpreh Taulant Balla.

Balla komentoi edhe debatet që kanë shoqëruar amendamentet e paraqitura gjatë shqyrtimit të raportit në Komitetin e Politikës së Jashtme. Ai tha se një amendament që përmendte me emër investitorë amerikanë u rrëzua me shumicë dërrmuese, ndërsa një tjetër amendament i propozuar nga grupi i Të Gjelbërve shkaktoi ndarje mes grupeve politike.

 “Ka pasur shumë keqinformime për shkak dhe të detyrës që kam që të jem kryetari i delegacionit shqiptar në PE, në fillim të procesit ka pasur një numër të konsiderueshëm amendamentesh në Komitetin e Politikës së Jashtme bën një punë të shkëlqyer. Dy ishin votimet më të rëndësishme, ishte 1 votim mbi një amendament që etiketon me emër investitorët, u drejtohej miqve amerikan të cilët duan të investojnë në Shqipëri dhe i cili u rrëzuar me një shumicë dërrmuese. Ishte dhe amendamenti i propozuar nga një grup deputetësh të formacionit Të Gjelbërit ndaj të cilëve votuesit pro rezolutës u ndanë në dy grupe, në njërin grup të majtët, socialistët dhe demokratët por edhe Të Gjelbërit dhe në njërin grup ishte e djathta që nuk e votuan amendamentin 17”, tha ai.

Sipas deputetit socialist, amendamenti 17 përputhet me qëndrimin e qeverisë shqiptare lidhur me projektet e zhvillimit, pasi parashikon kryerjen e një studimi të thelluar të ndikimit në mjedis përpara vijimit të tyre.

Duke u ndalur te çështja e Vjosës dhe Nartës, Balla tha se ekziston një keqkuptim në formulimin e amendamentit, pasi sipas tij nuk ka një park kombëtar me emrin “Vjosë-Nartë”. Ai sqaroi se Parku Kombëtar i Lumit Vjosa dhe zona Nartë-Pish Poro janë dy entitete të ndryshme, ndaj është kërkuar korrigjimi i këtij përcaktimi dhe jo kundërshtimi i përmbajtjes së amendamentit.

Balla theksoi se Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që garanton mbrojtjen e 470 kilometrave të Parkut Kombëtar të Vjosës pa lejuar ndërtime brenda tij.

“Në amendamenti 17 në fjalinë e 3 është thënë dhe ajo që ka thënë Rama. Përpara se të shkojmë për projektin duhet të bëjmë një studim të thelluar të ndikimit në mjedis një proces që është në vazhdim. Rezoluta apo amendamenti 17 është në zbatim e sipër sepse qeveria e ka thënë prej ditës së parë, dhe po të merrni atë që ka thënë Rama të dielën me amendamentin 17 janë të njëjtat fjali. Në pjesën e parë ka një keqkuptim i cili do të mundohemi që pas 3 javësh në Strasburg në komitetin parlamentar të stabilizim asocimit po e sqaroj: Nuk ekziston në Shqipëri një parë kombëtar me emrin Vjosë-Nartë është marrë nga google earth por nuk ekziston. Shqipëria është i vetmi vend në Europë që garanton që në 470 km park kombëtar të Vjosës të mos ketë asnjë ndërtim. Ndërkohë Nartë-Pish Poro është diçka tjetër dhe për këtë u kërkua që të zëvendësohej dhe jo të kundërshtohej”, theksoi Balla.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme