Kërkesë e lartë në treg, bimët medicinale sigurojnë më shumë të ardhura për kultivuesit

Sociale | 4 muaj më parë

Sezoni i këtij viti për bimët medicinale është vlerësuar si mjaft i suksesshëm nga fermerët dhe grumbulluesit. Kushtet atmosferike kanë qenë të favorshme gjatë gjithë ciklit të prodhimit, duke bërë që bimët të mos pësojnë dëmtime dhe cilësia e prodhimit të jetë e lartë. Sipas grumbulluesve, edhe çmimet e blerjes kanë qenë të kënaqshme, çka ka bërë që fermerët të sigurojnë të ardhura më të mira krahasuar me vitet kur tregu ka qenë më i paqëndrueshëm. Kjo ka sjellë një nivel më të lartë kënaqësie te kultivuesit dhe mbledhësit e bimëve medicinale.

“Çmimet kanë qenë shumë të favorshme për këtë vit. Të gjitha kanë pasur një rritje të kërkesës dhe rritje të çmimit të produktit. Lule Morizi me fletë është 3.000- 3200 lekë. Lule e Shtokut e njomë 1500 lekë, e thatë nga 8.000 deri në 9.000 lekë. Gjithmonë këto po them me çmimet e vjetra. Aguliçja ka qenë nga çmimi nga vjet që ishte 20-25 shkoi deri në 27-28.000 lekë për këtë vit për fermerë. Gjithmonë çmimi është që ne blejmë tek fermerët”, deklaroi grumbulluesi dhe eskportuesi Gjergji Çibuku.

Megjithatë, emigrimi i të rinjve po ndikon gjithnjë e më shumë në mungesën e fuqisë punëtore, duke bërë që numri i personave të angazhuar në mbledhjen dhe kultivimin e bimëve medicinale të vijë në rënie nga viti në vit.

“Kërkesë ka shumë nga fermerët që ne kishim ose vjelësit, ajo rini që ne e kishim parapërgatitur ata po na ikin jashtë dhe kjo na dëmton dhe për vazhdimësinë e brezave për këtë lloj produkti që ne po punojmë”, shtoi Çibuku.

Grumbulluesit shprehen se, pavarësisht rezultateve pozitive të këtij sezoni, mungesa e krahut të punës mbetet një sfidë për të ardhmen e sektorit.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme