Operacion i RENEA-s në Fushë-Krujë, i shumëkërkuari Ylli Zalla i shpëton policisë, kapet 55-vjeçari që e ndihmoi. Në banesë gjenden armë dhe municione
Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë dhe Forcat Speciale RENEA, zhvilloi një operacion gjatë natës në fshatin Zallë të Fushë-Krujës për kapjen e 49-vjeçarit Ylli Zalla, i shpallur në kërkim dhe i konsideruar me rrezikshmëri të lartë.
Pavarësisht informacioneve operative për vendndodhjen e tij, Zalla arriti të largohej duke përfituar nga errësira dhe u fut në pyll.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë me fishekë gati për qitje, një celular që dyshohet se i përkiste të shumëkërkuarit, municion luftarak dhe një detektor frekuencash.
Në banesë u arrestua edhe shtetasi F. A., 55 vjeç, i dyshuar për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Moskallëzim të krimit”, pasi dyshohet se ndihmoi Zallën të largohej.
Po ashtu, policia konstatoi edhe vëllain e tij, E. Z., 35 vjeç, i shpallur më herët në kërkim nga DVP Lezhë, i dyshuar si bashkëpunëtor në shpërthimin e një sasie lënde plasëse më 10 qershor 2026. Ai do të ndiqet në gjendje të lirë.
Ylli Zalla është në kërkim që prej nëntorit 2025, kur në banesën e tij u zbulua arsenal armësh pas hetimeve për atentatin në Rinas, ku u vranë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani.
Më 20 shkurt 2026, policia zbuloi një tjetër arsenal armësh që dyshohet se i përkiste atij. Zalla ka një të kaluar kriminale të gjatë, përfshirë arrestimin 12 vite më parë për prodhim bombash artizanale, prodhim e shitje droge, si dhe dyshime për lidhje me grupin terrorist ISIS.
Policia njoftoi se vijon puna intensive për kapjen e Ylli Zallës, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




