Ministri Lamallari takon kreun e Eurojust: Mbështetja për institucionet e drejtësisë, thelbësore në rrugën drejt standardeve evropiane

Politikë | 4 muaj më parë

Në vijim të turit të takimeve të zhvilluara në Hagë, Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari u prit nga Presidenti i Eurojust, Michael Schmid, me të cilin diskutoi mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në luftën kundër krimeve ndërkufitare.

Në bisedën e zhvilluar u vunë në dukje rezultatet konkrete të arritura deri më sot, falë partneritetit të Shqipërisë me Eurojust, sidomos ato që kanë të bëjnë me trafikun e narkotikëve, pastrimin e parave dhe mashtrimet online.

Ministri Lamallari u shpreh se “Shqipëria dhe Eurojust kanë ndërtuar një partneritet të qëndrueshëm që po jep rezultate konkrete në hetimin e veprave penale komplekse, trafikut të drogës, pastrimit të parave dhe mashtrimeve online. Vlerësova mbështetjen e Eurojust për institucionet shqiptare dhe rolin e rëndësishëm që po luan Prokurori Ndërlidhës në forcimin e bashkëpunimit gjyqësor me vendet e BE.”

Duke theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi me strukturat europiane të zbatimit të ligjit, ministri Lamallari nënvizoi se “do të vijojmë të jemi një partner i besueshëm në përpjekjet e përbashkëta për siguri, drejtësi dhe sundim të ligjit. Mbështetja jonë për institucionet e drejtësisë mbetet thelbësore në rrugën drejt standardeve evropiane”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme