“Nuk është libri im”,Rama me “Albanian Files” në dorë: Tekst auto-ironik, i janë qepur botimit si në kohën e Revolucionit Kulturor kinez

Politikë | 4 muaj më parë

Në episodin e radhës të podkastit Flasim, Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që në rubrikën “Shënimet e Ditës” të diskutojë mbi temat që ai i konsideron të rëndësishme për aktualitetin politik dhe shoqëror. Ashtu si çdo të diel, ai foli për ngjarjet kyçe të javës, duke e nisur fjalën me librin “The Albanian Files”. 

Rama e cilësoi këtë botim si një nga më të rëndësishmit të viteve të fundit në fushën e arkitekturës dhe zhvillimit urban. 

“Është një ndër botimet më të rëndësishme të viteve të fundit, në dritën e skenës së arkitekturës dhe zhvillimit urban, në Europë dhe në botë. Është një botim i ri i kohëve të fundit dhe ka brenda punët, projektet, idetë, shënimet e 60 arkitektëve dhe studiove me një reputacion të padiskutueshëm ndërkombëtar, të cilat i lidh së bashku në faqet e librit, Shqipëria!” – tha kreu i qeverisë, duke hedhur poshtë aludimet e fundit për këtë libër. 

Rama tha se teksti është keqinterpretuar dhe përdoret si pjesë e një “inkuizicioni” ndaj botimit. Sipas kreut të qeverisë, letra nuk është një thirrje politike, por një tekst me natyrë satirike dhe autoironike, në përputhje me stilin e njohur të autorit.

Ai shtoi se,  Nuk është libri im, unë aty kam dhënë një kontribut thjesht me një tekst parathënës, si kryeministër i Shqipërisë.” 

“Buron nga fryma e bulevardit, ku protesta e filluar për natyrën ka krijuar shumë degë të tjera dhe një nga degët është ajo inkuizicionale, e cila përndjek, në thonjëza sigurisht, me fjalë, me shpifje një nga grupet më të rëndësishme që i janë qasur Shqipërisë në këto 30 vite. Njerëz që e kanë bërë emrin e tyre dhe që janë mbledhur në Shqipëri, siç u mblodhën në New York, në vitet ’30.” 

Sipas tij, debati është nxitur nga një tekst autoironik i një arkitekti. 

“Është kthyer kokë poshtë! Tregon që në fakt, libri është tërësisht i lirë dhe i pakontrolluar. Të gjithë autorët kanë pasur pavarësi të plotë në materialet e tyre.” 

Kryeministri e përmbylli duke theksuar se “The Albanian Files” është një projekt editorial i pavarur, me kontribute nga studio arkitekturore që kanë punuar në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit. 

“Protesta e filluar për natyrën ka krijuar shumë degë dhe një nga degët është dega inkuzicionale e cila ‘përndjek’, me fjalë, me akuza, me shpifje. The Albanian Files është vendosur në shënjestër nga inkuizicioni revolucionar i protestës, ndërkohë që s’është libri im, dhe s’është një botim i kontrolluar prej meje, thjesht kam dhënë një kontribut me tekst parathënës, së bashku me këtë armatë arkitektësh që janë profesorë në universitetet më të mira të botës. Ka ardhur si projekt editorial tërësisht i pavarur dhe janë kontribute të studiojve që punojnë në Shqipëri dy dekadat e fundit. Patjetër që ka gjëra të debatueshme, të kritikueshme, por që t’i qepesh një botimi të tillë si të ishte koha e Revolucionit Kulturor kinez, dhe të kapesh me një tekst që është auto-ironik….Ky është kulmi. Teksti i vënë aty, në mënyrë autoironike është një letër drejtuar meje, që mua s’më ka ardhur, është shënim në dosjen e arkitektit, ku thotë ‘pse duhet të bëhen zgjedhje, duhet të bëhesh mbret dhe të bësh atë që bënin mbretërit me arkitekturën’, që s’ka lidhje me thirrje reale për t’u bërë mbret, është kthyer kokëposhtë, tregon që libri është i lirë, i pakontrolluar”, tha Rama në podkastin e fundjavës.

Rama theksoi se “The Albanian Files” është një projekt editorial i pavarur, ku secili arkitekt ka pasur liri të plotë për të zgjedhur tekstet dhe materialet e tij, pa ndërhyrje apo censurë.

“Ky libër quhet “The Albanian Files”. Është një ndër botimet më të rëndësishme që kanë dalë në vitet e fundit në dritën e skenës së arkitekturës dhe zhvillimit urban në Europë dhe në botë. Është një botim i ri i kohëve të fundit dhe ka brenda punët, projektet, idetë dhe shënimet e 60 arkitektëve dhe studiove me një reputacion të padiskutueshëm ndërkombëtar, të cilat i lidh së bashku, në gjithë faqet e librit, Shqipëria. Tani nuk dua të flas për librin, por dua të flas për një inkuizicion që ka nisur lidhur me librin, një inkuizicion që buron nga fryma e bulevardit, ku protesta e filluar për natyrën ka krijuar shumë degë të tjera dhe një nga degët është pikërisht dega inkuizicionale, e cila përndjek, në thonjëza natyrisht, por jo sepse nuk përndjek, por sepse përndjek në kuptimin me fjalë, me akuza, me shpifje, një nga gjërat dhe një nga grupet më të rëndësishme që i ka ndodhur dhe që i janë qasur Shqipërisë këtyre 30 viteve, po edhe historisë së Shqipërisë. Njerëz të cilët, thashë, e kanë bërë emrin dhe historinë e tyre në skenën e arkitekturës botërore dhe që janë mbledhur, pavarësisht nga njëri-tjetri, në Shqipëri, siç u mblodhën dikur në Neë York, në vitet ’30, duke dhënë kontribute, të cilat, ndër të tjera, do të bëjnë që ky vend dhe vajzat dhe djemtë e këtij vendi, arkitektë, arkitekte, urbanistë, urbaniste, nesër të nxjerrin nga gjiri i tyre ndonjë emër apo më shumë se një emër shqiptari apo shqiptareje që do të shkëlqejë në skenën e botës.“

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme