U akuzua se kërcënoi qytetarin për votën, GJKKO shpall të pafajshme kryebashkiaken e Roskovecit

GJKKO ka shpallur të pafajshme kryebashkiaken e Roskovecit, Majlinda Bufi, e cila ishte marrë e pandehur nga SPAK për veprën penale të përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike. Gjatë shpalljes së vendimit, gjyqtarja Irena Gjoka u shpreh se nuk provohet që zyrtarja të ketë kryer veprën penale për të cilën akuzohej.
Bufi u hetua dhe u gjykua në gjendje të lirë. Sipas akuzës, në cilësinë e kryetares së bashkisë, ajo dyshohej se i kishte kërkuar një qytetari të mos votonte në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 dhe të mos përfshihej në aktivitetet politike të forcave të tjera, duke e kërcënuar.
Në pretencë, SPAK kërkoi dënimin e saj me 1 vit e 6 muaj burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar do të zbriste në 1 vit. Prokuroria kërkoi gjithashtu pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe vendosjen e saj në shërbim prove për një periudhë 2-vjeçare.
Gjatë hetimeve, Bufi është marrë disa herë në pyetje nga SPAK. Në seancën e shpalljes së vendimit ajo nuk ishte e pranishme dhe u përfaqësua nga avokati i saj, Klodian Skënderaj.
Ndërkohë, prokurorja e çështjes, Dorina Bejko, pritet ta ankimojë vendimin në Apelin e GJKKO. Kryebashkiakja e Roskovecit është kallëzuar edhe më herët në SPAK nga Partia Demokratike e Shqipërisë për çështje që lidhen me dyshime për shpërdorim detyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




