Sot koncerti i Kanye West në Tiranë, bllokohen rrugët rreth “Eagle Stadium”, autostrada e hapur
Sot do të zhvillohet koncerti i artistit ndërkombëtar Kanye West. Koncerti do të mbahet në stadiumin “Eagle Stadium”, i krijuar enkas në zonën e Kasharit, ndërsa për të garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit dhe menaxhimin e trafikut, Policia e Tiranës ka njoftuar kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore.
Prej mëngjesit të së shtunës, policia nisi disa kufizime në qarkullimin e automjeteve rreth zonës ku është ngritur “Eagle Stadium”, në kilometrin e parë të autostradës Tiranë-Durrës.
Prej orës 07:00 deri në mesnatë, nuk do të lejohet lëvizja e automjeteve në rrugën dytësore për në hyrje të Tiranës nga kompleksi “Eiffel” deri te “Casa Italia”. Në këtë aks mund të lëvizet për dalje, por autostrada Tiranë-Durrës do të jetë e hapur.
Po ashtu, për 12 orë deri në mesnatë, ka ndalim të qarkullimit përreth stadiumit, pranë Casa Italia, rruga “Pavarësia” dhe rruga “Sokrat Miho”.
Në të njëjtën fashë orare, rrugët “Sokrat Miho”, “Kasem Shima” dhe “7 Nëntori”, do të funksionojnë vetëm me sens daljeje ndërsa transporti do të bëhet me autobus.
Duke qenë se në zonë nuk ka parkim automjetesh, qytetarët mund të sillen me automjete e më pas të largohen, ose të vijnë me taksi.
Për të shmangur trafikun, policia kërkon mirëkuptim për përdorim të akseve alternative.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




