Parada e Bastiljes në Paris, mesazh uniteti nga aleatë evropianë. Trupat shqiptare në rreshtin e parë të “Koalicionit të Vullnetarëve”
Mbi 300 mjete ushtarake dhe rreth 6,500 trupa kanë marshuar këtë mëngjes në bulevardin Champs-Élysées në Paris, në kuadër të ceremonisë së Ditës së Bastiljes, e cila këtë vit ka marrë një mesazh të fortë strategjik për sigurinë evropiane dhe bashkëpunimin mes aleatëve.
Parada e 14 korrikut është shoqëruar nga një prani e gjerë ndërkombëtare, me trupa nga vendet e “Koalicionit të Vullnetarëve”, të krijuar për të mbështetur Ukrainën dhe për të forcuar bashkëpunimin e mbrojtjes në Evropë. Në mesin e vendeve pjesëmarrëse janë Gjermania, Britania e Madhe, Italia, Shqipëria, Spanja, Polonia, vendet baltike, si dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe liderë të shumtë botërorë, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama. Parada u zhvillua si një demonstrim i unitetit evropian dhe i gatishmërisë përballë sfidave të reja të sigurisë.
Shqipëria ishte pjesë e këtij momenti historik, duke marrë pjesë me trupat e saj në radhët e “Koalicionit të Vullnetarëve”. Trupat shqiptare marshuan në Champs-Élysées me flamurin kuqezi në krye të formacionit, së bashku me trupat australiane.
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në Paris për ceremoninë, ka shpërndarë pamje nga marshimi i ushtarëve shqiptarë, duke theksuar rolin e Shqipërisë në këtë nismë ndërkombëtare.
“Champs-Élysées, Paris – Parada e Madhe e 14 korrikut. Krenar për Shqipërinë”, shkruan Rama.
Edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, iu bashkua presidentit francez Emmanuel Macron dhe rreth 30 liderëve të tjerë shtetesh e qeverish në tribunën speciale të ceremonisë së Paradës së Bastiljes në Paris.
Ukraina ishte një nga vendet në fokus të kësaj ceremonie, me trupat ukrainase që marshuan përgjatë bulevardit Champs-Élysées, ndërsa pilotë ukrainas të trajnuar në Francë morën pjesë edhe në fluturimin demonstrues me avionët luftarakë Dassault Mirage 2000 së bashku me Forcat Ajrore Franceze.
Presidenti Macron e cilësoi pjesëmarrjen e aleatëve dhe të Ukrainës si një simbol të unitetit dhe bashkëpunimit strategjik.
“Është një nder i madh të mirëpresim partnerët tanë në Koalicionin e të Vullnetshmëve dhe miqtë tanë ukrainas, të cilët do të marshojnë me ne dhe do të tregojnë zgjimin strategjik dhe unitetin tonë”, u shpreh ai.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



