Ndryshon ligji për ndihmën juridike, zgjerohen kategoritë përfituese dhe mbulimi i shpenzimeve gjyqësore

Ministria e Drejtësisë ka hartuar një projektligj të ri për ndryshimin e ligjit nr. 111/2017, i cili rregullon ndihmën juridike të garantuar nga shteti. Ndërhyrjet e reja synojnë të reformojnë skemën e përfaqësimit falas në gjykata dhe procedurat e ekzekutimit, duke u dhënë zgjidhje pengesave administrative dhe mungesës së informacionit për qytetarët.
Sipas relacionit shoqërues të draftit, nisma ligjore ka si objektiv “rritjen e aksesit real, efektiv dhe të barabartë të individëve në drejtësi, veçanërisht të personave në kushte të pafavorshme ekonomike, sociale ose juridike.”
Zgjerimi i kategorive dhe thjeshtimi i procedurave
Një nga pikat thelbësore të projektligjit është rikonceptimi i grupeve që përfitojnë mbrojtje ligjore falas, pavarësisht nivelit të tyre të të ardhurave. Ndryshimet ligjore zgjerojnë listën duke përfshirë shprehimisht viktimat e terrorizmit, personat që kërkojnë njohjen e statusit të aftësisë së kufizuar, si dhe personat e komunitetit rom dhe egjiptian për çështje të regjistrimit civil. Në përputhje me direktivat evropiane, mbrojtje do t’u ofrohet edhe sinjalizuesve që raportojnë shkelje të së drejtës së Bashkimit Evropian.
Për fazën e këshillimit fillestar (ndihma juridike parësore), Ministria thekson se drafti synon “thjeshtimin e procedurës për përfitimin e ndihmës juridike parësore, duke reduktuar barrën administrative për kërkuesit.”
Në praktikë, kjo do të thotë se qytetarëve do t’u kërkohet vetëm një vetëdeklarim i shoqëruar me dokument identifikimi, ndërsa dokumentacioni justifikues do të kërkohet vetëm në rastet kur ka dyshime mbi vërtetësinë e deklarimit.
Procedura të përshpejtuara dhe vijueshmëri në përfaqësim
Për të rritur cilësinë e mbrojtjes në gjykatë (ndihma juridike dytësore), projektligji mundëson që përfaqësimi juridik të mos kufizohet vetëm në një proces të izoluar. Qëllimi është shmangia e situatave ku një person ndryshon avokat për çështje të ndryshme që burojnë nga i njëjti problem faktik. Drafti ofron instrumente për “shmangien e fragmentarizimit të mbrojtjes juridike”.
Kjo do të bëhet duke garantuar që, sa të jetë e mundur, i njëjti avokat të përfaqësojë qytetarin në fazat paraprake, në gjykim dhe në çështjet e ndërlidhura civile, penale apo administrative. Për rastet e viktimave të dhunës, të miturve dhe personave vulnerabël, ligji shton një mjet të ri ligjor për “krijimin e procedurave të përshpejtuara për dhënien e ndihmës juridike në rastet emergjente”.
Në këto raste, gjyqtari cakton menjëherë avokatin dhe urdhëron njoftimin e tij pa vonesë.
Mbulimi i tarifave kadastrale dhe noteriale
Një problematikë e evidentuar ndër vite ka qenë pamundësia e qytetarëve për të ekzekutuar vendimet e fituara në gjykatë për shkak të kostove dytësore. Sipas relacionit, drafti ofron “zgjerimin e mbulimit të shpenzimeve të domosdoshme për aksesin në drejtësi, veçanërisht në fazën e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore”.
Ndryshimet parashikojnë që, përveç heqjes së tarifave gjyqësore, përfituesit të përjashtohen edhe nga pagesa e tarifave kadastrale, noteriale, shpenzimet përmbarimore dhe kostot e ekspertëve, kur këto janë të detyrueshme sipas ligjit.
Përafrimi me BE-në
Sipas të dhënave financiare të Ministrisë së Drejtësisë, kostoja shtesë e këtij projektligji vlerësohet në rreth 19 milionë lekë në vit, e cila do të përballohet brenda fondeve ekzistuese të miratuara për programin. Zbatimi i këtyre ndryshimeve bën të mundur “harmonizimin e kuadrit ligjor vendas me standardet përkatëse të Bashkimit Evropian në fushën e mbrojtjes së viktimave, garantimit të ndihmës juridike në procedurat penale, luftës kundër terrorizmit dhe mbrojtjes së sinjalizuesve.”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




