Krimet zgjedhore, Braho: SPAK ka regjistruar mbi 150 procedime penale në pesë vite. Gjatë 2025 u dërguan për gjykim 5 çështje
Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Klodian Braho, ka deklaruar se gjatë periudhës 2021–2025 institucioni ka trajtuar mbi 230 materiale që lidhen me veprat penale zgjedhore dhe ka regjistruar më shumë se 150 procedime penale.
Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Braho bëri të ditur se vetëm gjatë vitit 2025 janë regjistruar 46 procedime penale për vepra që lidhen me zgjedhjet. Prej tyre, 5 çështje janë dërguar për gjykim me 9 të pandehur.
“Gjatë periudhës 2021–2025, SPAK ka trajtuar 230 materiale që lidhen me veprat penale zgjedhore dhe ka regjistruar mbi 150 procedime penale. Vetëm për vitin 2025 janë regjistruar 46 procedime penale, nga të cilat 5 janë dërguar në gjykatë me 9 të pandehur, ndërsa 22 janë ende në hetim. Është hartuar një strategji për parandalimin e krimeve zgjedhore, ku është ngritur një grup pune me asistencën e OSBE-së dhe në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Rritja e kapaciteteve të SPAK dhe bashkëpunimi ndërinstitucional kanë dhënë efekt parandalues ndaj veprave penale që cenojnë integritetin e zgjedhjeve”, tha Braho.
Ai u ndal edhe te forcimi i strukturave të SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), duke bërë të ditur se plotësimi i vakancave është në fazën përfundimtare dhe se po përgatitet një riorganizim i BKH-së për t’i dhënë më shumë peshë përpunimit të informacionit kriminal, gjurmimit të kriptomonedhave dhe hetimit të krimit kibernetik.
“Jemi në fazën përfundimtare të plotësimit të vakancave dhe po përgatisim një riorganizim më të mirë të BKH-së, për t’i dhënë më shumë peshë përpunimit të informacionit kriminal, gjurmimit të kriptomonedhave dhe luftës ndaj krimit kibernetik”, tha Braho.
Braho theksoi gjithashtu se bashkëpunimi ndërkombëtar është thelluar dhe tashmë është pjesë e përditshme e hetimeve penale, jo vetëm për shkëmbim informacioni, por edhe për veprime konkrete hetimore.
“Kemi thelluar bashkëpunimin ndërkombëtar, i cili tashmë është pjesë e përditshme e hetimeve penale dhe jo vetëm një çështje e shkëmbimit të informacionit. Synimi ynë është që rekomandimet të kthehen në një institucion më të aftë dhe më efektiv dhe jo të mbeten vetëm në letër”, u shpreh kreu i SPAK.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, kreu i SPAK, Braho, ka deklaruar se asnjë person nuk është i paprekshëm nga hetimet e institucionit që ai drejton, ndërsa theksoi se kriteri kryesor mbetet ekzistenca e provave për kryerjen e një vepre penale.
Gjatë raportimit të tij, Braho u ndal edhe te fenomeni i pastrimit të parave, duke e cilësuar atë si një shqetësim për SPAK.
“Asnjë person nuk është imun ndaj hetimeve të SPAK. Kushti është ekzistenca e provave për kryerjen e një vepre penale. Lidhur me çështjen e pastrimit të parave, kjo është një shqetësim për ne. Hetimet e fundit tregojnë një ndryshim të qasjes së SPAK ndaj këtyre fenomeneve dhe një fokus më të madh në goditjen e tyre”, tha Braho.
Ai foli edhe për situatën e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), duke deklaruar se struktura ka nevojë për konsolidim të mëtejshëm dhe shtim të numrit të hetuesve.
“Byroja Kombëtare e Hetimit aktualisht ka nevojë të konsolidohet më tej, me shtimin e numrit të hetuesve. Vizioni ynë është që të shtojmë edhe funksione të tjera të BKH-së, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë që ofron ligji. Kjo nuk e pengon BKH-në që të vijojë hetimet kudo në vend, në përputhje me kompetencat e saj”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



