Rinisin së shpejti gërmimet në Sardë, pjesë e projektit “Lugina e Drinit në Mesjetë”
Në ishullin e Shurdhahut, në liqenin e Vaut të Dejës, në vitet e fundit janë zhvilluar kërkime arkeologjike në rrënojat e qytetit mesjetar të Sardës. Projekti shqiptaro-francez ka dokumentuar strukturat e qytetit dhe zhvillimin e tij gjatë Mesjetës.
Gjatë gërmimeve të mëparshme është zbuluar një rrethim i ri mbrojtës, që dëshmon se Sarda ka pasur një sistem fortifikimi me tre unaza. Drejtori i DRTK Shkodër, Helidon Sokoli, bën të ditur se misioni arkeologjik do të rikthehet sërish gjatë verës për të vijuar kërkimet.
“Lugina e Driniit në mesjetë që vitin e kaluar u përqëndrua në qytetin e Sardës në ishullin e Shurdhaut edhe këtë vit po ashtu do ë përqëndrohet pikërisht në këtë areal arkeologjik, pra në këtë sitë arkeologjik në ishullin e Shurdhaut. Ai është një mision shqiptar francez dhe do fillojë shumë më vonë, pra do fillojë nga fundi i gushtit deri në mesin e shtatorit. Misioni shqiptaro-francez po gërmon në pjesën më të sipërme të kodrës së qytetit, aty ku po dokumentohet edhe një nga kishat që përsupozohet që të jetë ndër më të hershmet e qytetit mesjetar. Këtë vit do besojmë do përfundojmë edhe dokumentimin e plotë të saj dhe do dalim edhe në konkluzionin edhe të datimit të saktë të saj”, tha Helidon Sokoli, drejtor, DRTK Shkodër.
Projekti “Lugina e Drinit në Mesjetë” realizohet në bashkëpunim mes institucioneve shqiptare dhe franceze dhe synon të zbulojë më tej historinë e një prej qendrave më të rëndësishme mesjetare në veri të vendit. Përpara gërmimeve është kryer edhe pastrami i zonës nga vegjetacioni për të lehtësuar punën e arkeologëve.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




