Rama uron kryeministrin e ri të Ukrainës, Serhii Koretskyi: Shqipëria qëndon e palëkundur pranë popullit ukrainas në luftën për liri dhe sovranitet

Aktualitet | 4 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka uruar homologun e ri të Ukrainës, Serhii Koretskyi për detyrën e re. Në një postim në rrjetin social X, kreu i qeverisë shqiptare ka shprehur mbështetjen e Shqipërisë ndaj popullit ukrainas në luftën e tyre për liri, sovranitet dhe paqe në luftën mbi 4-vjeçare me Rusinë.

Rama i uron suksese kryeministrit Koretskyi në udhëheqjen e vendit përkrah Presidentit Volodymyr Zelenskyy në një prej atyre që ai e cilësoi si kapitullin më të vështirë të historisë së Ukrainës.

“Urime Kryeministrit Serhii Koretskyi për emërimin e tij nga Verkhovna Rada e Ukrainës.

I uroj suksese teksa i bashkohet Presidentit Volodymyr Zelenskyy në udhëheqjen e Ukrainës gjatë një prej kapitujve më të vështirë të historisë së saj, me guxim, qëndresë dhe vendosmëri.

Shqipëria qëndron e palëkundur përkrah Presidentit Zelenskyy, Qeverisë së Ukrainës dhe popullit ukrainas në luftën e tyre për liri, sovranitet dhe një paqe të drejtë e të qëndrueshme”, shkruan Rama në rrjetin social X.

Një ditë më parë (16 korrik), ligjvënësit e Ukrainës votuan për emërimin e të nominuarit të Presidentit Volodymyr Zelenskyy, Sergii Koretskyi (kryetar i kompanisë shtetërore të energjisë Naftogaz), si kryeministër.

Koretskyi zëvendëson Yulia Svyrydenkon, e cila dha dorëheqjen këtë javë ndërsa Zelenskyy kërkoi të bëjë “ndryshimet e nevojshme në qeverinë ukrainase”.

Zelenskyy tha se Koretskyi ishte kandidati më i përshtatshëm për prioritetin e qeverisë për përgatitjen e Ukrainës për një dimër tjetër të vështirë, duke përmendur përvojën e shefit të Naftogaz në sektorin e energjisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme