Virozat e stinës dhe pickimet e insekteve, rastet më të shpeshta në Ksamil. Bluzat e bardha apelojnë për kujdes
Gjatë sezonit veror, në qendrën shëndetësore të Ksamil rastet më të shpeshta që paraqiten për trajtim lidhen me virozat e stinës dhe pickimet nga insekte të ndryshme. Rritja e numrit të pushuesve dhe temperaturat e larta sjellin shtim të këtyre problemeve shëndetësore, të cilat kërkojnë kujdes dhe trajtim të përshtatshëm.
“Dominojnë virozat e stinës që dikur kanë qenë sezonale, tani janë gjithë vjetore. Kemi gastroenterite, kemi tonsilite, sidomos te fëmijët, kemi djege nga dielli, kemi pickime”, tha mjeku Tajar Lako.
Mjekët pranë qendrës shëndetësore bëjnë me dije se shumica e rasteve janë të menaxhueshme, por këshillojnë qytetarët dhe turistët të tregojnë kujdes gjatë qëndrimit në plazh dhe në ambiente të hapura. Ata rekomandojnë mbrojtjen nga dielli, konsumimin e mjaftueshëm të lëngjeve dhe respektimin e rregullave të higjienës.
“Duhet të kenë kujdes ë që fëmijët t’i nxjerrin në një orar në diell nga ora 8:00 deri në orën 10:00. Duke qenë se tek fëmijët kemi këto problemin e gastroenderiteve, nënat duhet të kenë shumë kujdes me ushqimet e fëmijët”, tha mjeku.
Gjithashtu, bluzat e bardha këshillojnë që në rast të shfaqjes së simptomave të vazhdueshme apo reaksioneve pas pickimeve të insekteve, qytetarët të kërkojnë ndihmë mjekësore dhe të shmangin trajtimet pa këshillën e specialistëve. Qëllimi është që pushuesit të kalojnë një sezon veror sa më të sigurt dhe pa probleme shëndetësore.
Gazetare: B.Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




