Raporti i INSTAT për çmimet e konsumit, inflacioni shënon 3,2% në muajin qershor

Ekonomi | 3 muaj më parë

Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), inflacioni i matur me Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) ka arritur në 3,2% në muajin Qershor 2026. Ky tregues reflekton ecurinë e çmimeve me pakicë brenda territorit shqiptar dhe shërben si instrumenti kryesor për monitorimin e stabilitetit të çmimeve në raport me standardet evropiane.

Grupet që udhëhoqën rritjen vjetore

Rritja e çmimeve gjatë këtij muaji është udhëhequr kryesisht nga kostot e përditshme të jetesës dhe sektori i shërbimeve. Grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” vijon të mbajë peshën kryesore në buxhetin e familjeve shqiptare, duke dhënë ndikimin më të madh në këtë shtrenjtim.

Sipas raportit të INSTAT, rritja vjetore u ndikua nga këta sektorë kryesorë:

“Kontributin kryesor në rritjen vjetore të çmimeve në muajin Qershor e dha grupi ‘Ushqime dhe pije joalkoolike’ me +1,02 pikë përqindje (rritje vjetore 2,9%), pasuar nga grupi ‘Argëtim, sport dhe kulturë’ me +0,65 pikë përqindje (rritje vjetore 10,2%) dhe ‘Restorante dhe shërbime akomodimi’ me +0,56 pikë përqindje (rritje vjetore 3,9%).”

Sektorët e tjerë që patën ndikim pozitiv në rritjen vjetore përfshijnë pije alkoolike dhe duhan: +0,25 pikë përqindje (Rritje vjetore: 4,9%); transporti +0,16 pikë përqindje (rritje vjetore: 1,9%); shërbimi arsimor +0,15 pikë përqindje (rritje vjetore: 3,3%).

Ndryshimet mujore, transporti dhe ushqimet pësojnë rënie të lehtë

Ndryshe nga tendenca vjetore, çmimet e konsumit në muajin Qershor 2026 shënuan një rënie të lehtë prej 0,1% e krahasuar kjo me muajin e mëparshëm (Maj 2026). Ky ngadalësim mujor erdhi kryesisht si pasojë e lirimit të kostove të udhëtimit dhe disa artikujve të shportës bazë.

Rënia mujore u ndikua nga këto grupe: Transporti, rënie prej 2,1%; qira, ujë, energji, gaz dhe karburante rënie prej 0,8%; ushqime dhe pije joalkoolike, veshje dhe këpucë rënie prej 0,5% secili.

Nga ana tjetër, presioni rritës mujor u regjistrua sërish tek grupi “Argëtim, sport dhe kulturë”, i cili u shtrenjtua me 3,2% brenda një muaji, i ndjekur nga shërbimet e arsimit (+0,7%) dhe shëndetësia (+0,5%).

Risitë metodologjike dhe harmonizimi me BE-në

INSTAT sqaron se duke filluar nga kjo periudhë, të dhënat pasqyrohen sipas klasifikimit të ri ndërkombëtar ECOICOP 2018 (Versioni 2), në përputhje me Rregulloren e Bashkimit Evropian. Ky kalim ka sjellë një ristrukturim të shportës zyrtare, e cila tashmë përbëhet nga 410 produkte dhe shërbime, si dhe ka zhvendosur periudhën bazë të referencës së indeksit në vitin 2025 = 100. Ndonëse peshat e mallrave janë përditësuar mbi bazën e Llogarive Kombëtare, instituti garanton se normat historike të inflacionit të përgjithshëm mbeten të pandryshuara.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme