Aksident tragjik në aksin Divjakë-Çermë, humb jetën një 38-vjeçar, plagosen katër të tjerë
Një aksident automobilistik me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e katër të tjerëve ka ndodhur në aksin rrugor Divjakë-Çermë, pranë fshatit Çermë Shkumbin. Dy automjete janë përplasur fort kokë më kokë me njëra-tjetrën, duke shkaktuar një bilanc tragjik.
Nga goditja e fortë midis dy makinave ka ndërruar jetë në vendngjarje një 38-vjeçar me inicialet B.C. Katër personat e tjerë që udhëtonin në mjetet e përfshira në aksident kanë mbetur të plagosur.
Sipas informacioneve të siguruara në terren, gjendja e të lënduarve paraqitet e qëndrueshme. Ambulanca i ka dërguar të lënduarit në spitalin e Lushnjës për mjekim.
“Katër të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën,” bëri të ditur gazetarja e RTSH 24 gjatë raportimit të saj.
“Rreth orës 15:00, në aksin rrugor “Çermë–Divjakë”, automjeti me drejtues shtetasin H. M., 45 vjeç, është përplasur me automjetin që drejtohej nga shtetasi B. C., 38 vjeç. Si pasojë e përplasjes, shtetasi B. C. ka humbur jetën gjatë transportimit për në spital. Shtetasi H. M., bashkëshortja e tij, shtetasja E. M., si dhe dy fëmijët e tyre të mitur, të cilët ndodheshin në automjet, morën ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.”, njoftoi policia.
Hetimet për shkaqet e aksidentit
Forcat e policisë dhe grupi hetimor kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes për të menaxhuar trafikun e bllokuar dhe për të kryer ekspertizën rrugore. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur punën në bashkëpunim me organin e akuzës për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




