Berisha paraqitet në SPAK: Bamir Topi të tregojë të vërtetën për dosjen “Partizani”

Politikë | 3 muaj më parë

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është paraqitur këtë të hënë në SPAK në respekt të masës së sigurisë “Detyrim paraqitjeje”.

Pasi doli nga Prokuroria, Berisha u pyet për dosjen “Partizani” dhe dëshminë e ish-Presidentit Bamir Topi, ku deklaroi se ky i fundit duhet të tregojë të vërtetën dhe se e gjithë dosja është ngritur mbi falsifikime.

“Saktësisht pse është thirrur Bamir Topi, e dinë ata që e kanë thirrur. Nuk kam nevojë për asnjë njeri në botë të dëshmojë për mua, sepse është faktuar në mënyrën më përfundimtare që, në mënyrë absolute, nuk ka asnjë shkelje ligjore. Ka trillime të paimagjinueshme në atë proces. Ka pasur zero ndërhyrje”, tha Berisha.

Berisha hodhi akuza edhe ndaj bankës së Shqipërisë, e cila, sipas tij, ka heshtur për atë që ai e quan “narkoeuro”.

“Banka e Shqipërisë, e cila hesht si fija e barit për ‘narkoeuron’, Banka e Shqipërisë është e zhytur gjer në çati në narkoeuro dhe s’guxon të shqiptojë njëherë fjalën ‘narkoeuro’, e cila po shkatërron ekonominë e vendit.”, tha Berisha.

Berisha foli edhe për dosjen”Aruba”, ku tha se atje kanë qenë dy ose tre zyrtarë të lartë dhe biznesmenë të dërguar nga kryeministri Edi Rama nga Tirana, por që SPAK i mban sekret emrat e tyre.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme