Tre të plagosur nga të shtënat me armë në Elbasan, Policia në ndjekje të autorit

Aktualitet | 3 muaj më parë

Një ngjarje e rëndë me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e sotme në qytetin e Elbasanit, ku tre persona mbetën të plagosur si pasojë e të shtënave. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:30, në verandën e një lokali të ndodhur në lagjen “Vullnetari”.

Sipas të dhënave të para të bëra publike nga autoritetet policore, një shtetas ende i paidentifikuar ka hapur zjarr me një armë të llojit pistoletë në drejtim të një tavoline ku qëndronin tre të rinj. Si pasojë e të shtënave kanë mbetur të plagosur shtetasit A. T., 32 vjeç, R. M., 31 vjeç, dhe B. H., 19 vjeç. Burime spitalore dhe policore konfirmuan se të tre të dëmtuarit ndodhen nën kujdesin mjekësor dhe jashtë rrezikut për jetën.

Ndjekja nga oficeri i policisë dhe aksioni në terren

Në momentin e sulmit, brenda ambienteve të lokalit ndodhej një oficer policie i cili ishte jashtë orarit të tij zyrtar të shërbimit. Sapo ka dëgjuar krismat, efektivi ka ndërhyrë menjëherë duke dalë jashtë dhe është vënë në ndjekje të autorit të dyshuar për të bërë të mundur neutralizimin e tij.

Gjatë tentativës për t’u larguar nëpër rrugicat në thellësi të lagjes, autori ka hedhur armën e zjarrit për tokë dhe ka mundur të shkëputet. Menjëherë pas alarmit, forca të shumta të Policisë së Shtetit kanë mbërritur në vendngjarje, duke rrethuar zonën në një perimetër të gjerë. Aktualisht, strukturat operacionale po vijojnë kontrollet intensive në terren për lokalizimin dhe kapjen e personit të përfshirë në ngjarje.

Në vendin e ngjarjes ka zbritur edhe grupi hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë po kryen veprimet e para procedurale. Ekspertët po punojnë për sekuestrimin e armës së hedhur, si dhe të çdo prove tjetër materiale dhe pamjeve filmike që do t’i shërbejnë hetimit për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme