Qeveria miraton tre vendime për shpronësimet në jug të vendit, projekti në Ksamil, ura në Metoq dhe parkimi nëntokësor në Vlorë

Këshilli i Ministrave ka miratuar tre vendime të rëndësishme për shpronësimin për interes publik të pasurive të paluajtshme, pronë private, të cilat preken nga realizimi i tre projekteve infrastrukturore e zhvillimore në qarkun e Vlorës dhe Sarandës.
Vendimet e propozuara nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë kapin një vlerë totale dëmshpërblimi prej mbi 11.9 milionë lekësh për pronarët e prekur.
Zgjermimi i rrugës së Ksamilit, dëmshpërblim për pasuritë “kullotë”
Për realizimin e projektit “Zgjestim i rrugës së Ksamilit”, shpronësimi do të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH). Projekti prek pasuri të llojit “kullotë”, ku vlera e përgjithshme e kompensimit përfaqëson financimin më të madh nga kjo paketë vendimesh.
Rreth fondit të alokuar dhe procedurës, vendimi saktëson se pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë për pasuritë e llojit ‘kullotë’, me një vlerë të përgjithshme prej 4 741 122 (katër milionë e shtatëqind e dyzet e një mijë e njëqind e njëzet e dy) lekësh.
Kjo vlerë do të përballohet nga buxheti i shtetit përmes llogarisë “Fondi i shpronësimeve” në Bankën e Shqipërisë, ndërsa ARRSH do të mbulojë 70 000 lekë shpenzime procedurale.
Për disa pasuri specifike (me numra 1/193, 1/194, 1/670, 1/669, 1/672 dhe 1/671), vendimi përcakton se kompensimi do të vihet në dispozicion të personit që do të rezultojë fitues nga një vendim i formës së prerë të gjykatës.
Ndërtimi i urës në fshatin Metoq, Sarandë
Vendimi i dytë lidhet me infrastrukturën vendore në Bashkinë e Sarandës dhe i hap rrugë projektit “Ndërtimi i urës së fshatit Metoq”. Shpronësimi në këtë rast bëhet në favor të vetë Bashkisë Sarandë.
Dokumenti zyrtar përcakton shumat përkatëse financiare që do të mbulohen nga pushteti vendor.
“Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohet, kompensohen në vlerë të plotë… për pasurinë e llojit ‘arë’, me një vlerë të përgjithshme prej 49 256 (dyzet e nëntë mijë e dyqind e pesëdhjetë e gjashtë) lekësh.”, thuhet në vendim.
Vlera e shpronësimit bashkë me shpenzimet procedurale prej 50 000 lekësh do të përballohen tërësisht nga buxheti i Bashkisë Sarandë, ku pronari i prekur do të likuidohet pasi të paraqesë dokumentacionin përkatës.
Parkimi nëntokësor dhe parku çlodhës në Vlorë
Projekt-vendimi i tretë synon transformimin urban në qytetin e Vlorës, duke i hapësirë zbatimit të projektit “Ndërtimi i godinës së parkimit nëntokësor dhe i parkut çlodhës, Vlorë”. Ky shpronësim realizohet në favor të Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH).
Lidhur me truallin e prekur dhe fondin e shpronësimit, në vendim thuhet se “pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë për pasuritë e llojit ‘truall’, me një vlerë të përgjithshme prej 7 228 689 (shtatë milionë e dyqind e njëzet e tetë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e nëntë) lekësh.”
Ashtu si në rastin e Ksamilit, financimi prej më shumë se 7.2 milionë lekësh do të sigurohet nga buxheti i shtetit përmes Bankës së Shqipërisë, kurse FSHZH do të mbulojë 50 000 lekë për shpenzime procedurale.
Afatet dhe pezullimi i transaksioneve në Kadastër
Për të gjitha projektet, afati i përfundimit të procedurave të shpronësimit është caktuar brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e vendimeve. Pasi pronarët të paraqesin dokumentacionin justifikues pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin (apo Bashkisë Sarandë për urën e Metoqit), do të bëhet edhe likuidimi i tyre.
Sipas përcaktimeve teknike, institucionet zhvilluese (ARRSH, Bashkia Sarandë dhe FSHZH) do të aplikojnë menjëherë pranë Drejtorive Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) në Sarandë dhe Vlorë. Brenda 30 ditëve nga miratimi, Kadastra do të hedhë gjurmët e projekteve në hartë dhe do të regjistrojë kalimin e pronësisë në favor të shtetit.
Gjithashtu, vendimet sanksionojnë një mbrojtje ligjore mbi këto prona.
“Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë”, theksohet në vendim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




