Rama: Në 2030-n, paga e Forcave të Armatosura sa mesatarja e atyre të NATO-s. Së shpejti edhe statusi i ushtarakut
Kryeministri Edi Rama deklaroi se paga e ushtarakëve shqiptarë do të arrijë nivelin e mesatares së forcave të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO) në vitin 2030, ndërsa statusi i ushtarakut është në fazën finale të miratimit.
Duke folur në ceremoninë e diplomimit të Kursit të Përgatitjes së Oficerit në Akademinë e Forcave të Armatosura, Rama theksoi progresin e madh të Forcave të Armatosura që nga një gjendje dramatike fillestare deri në nivelin aktual.
“Sot është një ditë krenarie për Forcat e Armatosura. Është krenari për të gjithë sepse e kam të pamundur të mos kujtoj se nga çfarë situate dramatike ka nisur ringritja dhe konsolidimi i Forcave të Armatosura.
Kjo fushë që sot na mirëpret në një orar në dukje të pazakontë ka qenë një fushë dheu e papërdorur dhe faktikisht dallimi mes asaj fushe në atë fillim dhe asaj fushe sot është simbolik për dallimin se si sot Forcat e Armatosura janë të mbështetura, janë të motivuara dhe ndiejnë motivim të përditshëm që nuk janë vetëm me fjalë” u shpreh Rama.
Ai kujtoi se në të kaluarën, Forcat e Armatosura operonin me buxhet minimal dhe paga shumë të ulëta, duke u mbështetur kryesisht në pasionin dhe përkushtimin e ushtarakëve.
“Ndërkohë që kur kjo fushë ishte një fushë dheu, forcat e armatosura mbaheshin në këmbë nga pasioni, nga përkushtimi dhe nga edukata ushtarake që ishin përfaqësues të këtyre forcave por që ishin më të keqpaguarit në rajonin tonë dhe që kishin në dispozicion një buxhet qesharak për atë që do të duhet të ishte buxheti i Forcave të Armatosura.
Sot ne kemi forcat më të mirëpaguara të rajonit dhe nuk do të ndalemi asnjë ditë së rrituri pagat e tyre sepse ambicia është që në Shqipërinë e vitit 2030, forcat tona të jetë të paguara sa mesatarja e Forcave të Aleancës së Atlantikut të Veriut”, tha kryeministri.
Rama shtoi se kujdesi i qeverisë për ushtarakët shkon përtej shpërblimit financiar. Ai njoftoi se statusi i ushtarakut është gati për miratim.
“Përkujdesja jonë për ushtarakët shkon përtej vetëm shpërblimit me pagë dhe motivimit profesional, pasi më në fund ne jemi fare pranë për realizimin e statusit të tyre, gjithçka është gati. Është raundi i fundit i boksit mes ministrit të Mbrojtjes dhe atij të Financave. Por unë që detyrohem të bëj arbitrin jam me ministrin e Mbrojtjes. Edhe këtë së shpejti do ta japim si një lajm të shumëpritur nga ushtarakët”, deklaroi Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




