Rubio: SHBA do të kërkojë një zgjidhje të mesme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të vijojnë përpjekjet për të gjetur një rrugë diplomatike që mund t’i japë fund luftës në Ukrainë. Deklarata erdhi pas takimit të tij me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në Manila, në kuadër të samitit të ASEAN-it.
Rubio tha se biseda me Lavrovin ishte “e mirë dhe e sinqertë”, ndërsa theksoi se konflikti ka sjellë pasoja të rënda për të dyja palët, me humbje të mëdha njerëzore dhe dëme të konsiderueshme. Sipas tij, si Rusia ashtu edhe Ukraina duhet të kenë interes për përfundimin e luftës.
“Do të vazhdojmë të përpiqemi të shohim nëse mund të gjejmë një zgjidhje të mesme që të sjellë fundin e kësaj lufte”, u shpreh Rubio, duke shtuar se për një marrëveshje paqeje do të nevojiten “ide të reja” që të jenë të pranueshme për të dyja palët.
Sekretari amerikan i Shtetit hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se Uashingtoni do të ndryshojë politikën e tij për furnizimin me armë të Ukrainës, duke thënë se objektivi kryesor mbetet arritja e një marrëveshjeje paqeje.
Rubio theksoi se procesi nuk do të zgjidhet përmes një takimi të vetëm, por do të kërkojë negociata të gjata dhe angazhim diplomatik. Ai shtoi se SHBA-të janë të gatshme të luajnë një rol nëse krijohen kushtet për një marrëveshje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




