Merrte paratë për riparime dhe tentonte të shiste makinat e klientëve, arrestohet pronari i servisit në Tiranë

Pronari i një servisi automjetesh në zonën e Astirit është arrestuar nga policia, pasi dyshohet se ka mashtruar disa qytetarë duke marrë pagesa për riparime që nuk janë kryer.
Operacioni i koduar “Skema” u finalizua nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas kallëzimeve të disa pronarëve të automjeteve, të cilët deklaruan se kishin paguar shërbimet, por automjetet e tyre nuk ishin riparuar.
Në pranga u vu shtetasi M. H., 37 vjeç, pronar i subjektit të servisit, ndaj të cilit janë dokumentuar 6 raste të dyshuara të veprimtarisë kriminale të mashtrimit.
Sipas hetimeve, përveçse nuk ka kryer riparimet për të cilat ishte paguar, në disa raste 37-vjeçari dyshohet se ka tentuar edhe t’i shiste automjetet që i ishin lënë nga klientët për mirëmbajtje.
Gjatë operacionit, nga ambientet e servisit u sekuestruan 5 automjete, të cilat iu lanë në ruajtje pronarëve të tyre.
Policia bën me dije se vijon puna për dokumentimin e rasteve të tjera të mundshme të kësaj veprimtarie, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




