Incidenti me dokumentin sekret të huasë me SHBA-në, Rama kërkon hetim nga prokuroria për Agron Shehaj: Na dëshmoi botërisht se “vesi del me shpirtin”

Politikë | 3 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht me tone të ashpra lidhur me veprimin e deputetit të opozitës, Agron Shehaj, i cili mori në mënyrë jo të ligjshme dokumentin e klasifikuar të marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarësh mes Shqipërisë dhe SHBA-së dhe u largua me shpejtësi nga ambienti i  Kuvendit ku ndodhej kopja e dokumentit sekret.

Sipas rregullave të përcaktuara më herët, deputetët kishin të drejtë ta konsultonin marrëveshjen e konfidencialitetit vetëm pasi të nënshkruanin deklaratën përkatëse. Kuvendi nuk u kishte shpërndarë kopje fizike 140 ligjvënësve, por kishte caktuar një sallë të posaçme me kapacitet prej 15 personash për leximin e dokumentit. Deputeti Shehaj hyri në këtë ambient, mori dokumentin dhe u largua me vrap, pa iu bindur thirrjeve për të ndaluar nga sekretarja e komisionit.

Rama: “Vesi del me shpirtin”, prokuroria t’i tregojë vendin

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Kryeministri Rama e cilësoi veprimin e deputetit si një akt të papranueshëm grabitjeje të dokumenteve të klasifikuara, duke përdorur terma mjaft kritikë e ironizues.

“Ky tipi që vjedh një dokument të klasifikuar dhe ia fut vrapit, është një ballist që ngre dhe ul hajdut kë i del përpara, por siç e shihni sot tentoi të ikte me vrap njësoj si ballistët pasi hynin në kotec për të grabitur pula, duke na dëshmuar botërisht se vesi del me shpirtin,” shkroi Rama.

Kreu i qeverisë kërkoi ndërhyrjen e organeve të drejtësisë për hetimin e ngjarjes, ndërsa u ndal edhe te punonjësja e Kuvendit që u përpoq ta ndalonte deputetin.

“Uroj, po nuk shpresoj që prokuroria t’i tregojë vendin e përcaktuar nga ligji për grabitësit e dokumentave të klasifikuar kësaj sorre vjedhacake të mbushur me urrejtje, ndërkohë që i shpreh keqardhje vajzës së pafajshme duke falenderuar Zotin që shpëtoi pa dëme serioze nga rendja në panik pas hajdutit,” përfundoi reagimin e tij Kryeministri.

 /rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme