Rikthehet festa e Shna Pretes në Kelmend/Tradita, kultura dhe diaspora bashkohen në Qafën e Predelecit

Kulturë | 3 muaj më parë

Në Qafën e Predelecit, në zemër të Kelmendit, është rikthyer një traditë e hershme përmes Festës së Shna Pretes. Pas Meshës së Shenjtë në Kishën e Shna Pretes, banorë të zonës, emigrantë dhe vizitorë u mblodhën për të kremtuar këtë festë, e cila synon të rithemelojë traditat e dikurshme të trevës.

Aktiviteti u organizua nga famullia e zonës, me mbështetjen e At Viktor Demaj, diasporës dhe në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore “Jehona e Kelmendit”. Në qendër të festës ishin vlerat kulturore, ku nuk munguan vallet tradicionale, këngët majekrahu, si dhe veshjet karakteristike si xhubleta.

“T’i japim një vlerë edhe më të madhe këtij vendi, duke shpresuar se ai do të zhvillohet gjithmonë e më shumë. Ky vend, kjo tokë, do ta ketë gjithmonë rëndësinë e vet, sepse është banuar nga kelmendasit prej shekujsh. Prandaj, ka nevojë të promovohet çdo ditë e më shumë”, u shpreh At Viktor Demaj.

Kjo festë vjen si një përpjekje për të ruajtur identitetin kulturor dhe për ta kthyer atë në një traditë të përvitshme, duke forcuar lidhjen e komunitetit me rrënjët e tij.

Gazetare: M Gjoni

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme