Zjarret masive në Francë dhe Spanjë, evakuohen mbi 300 mijë persona, situatë e rënduar në Gironde dhe Valencia

Më shumë se 300 mijë persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të zjarreve të mëdha që kanë përfshirë jugperëndimin e Francës dhe disa zona të Spanjës qendrore e lindore, ndërsa autoritetet vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll flakët.
Në Francë, situata më e rëndë paraqitet në rajonin e Gironde, ku deri më tani janë evakuuar rreth 220 mijë banorë. 30 mijë persona janë larguar nga shtëpitë e tyre në rajonin fqinj Landes, ndërsa zjarrfikësit po luftojnë me vatrat e shumta të zjarrit të favorizuara nga temperaturat e larta dhe erërat e forta.
Edhe Spanja po përballet me një situatë të vështirë. Zjarret pranë Madridit kanë detyruar evakuimin e 63.152 personave, mes tyre 31.865 në rajonin e Madridit, 25.087 në provincën Ávila dhe 6.200 në Toledo.
Përveç evakuimeve, autoritetet spanjolle kanë urdhëruar edhe 27.797 banorë të qëndrojnë brenda banesave për arsye sigurie, për shkak të përhapjes së tymit dhe rrezikut nga flakët.
Ndërkohë, një tjetër zjarr pranë Valencias ka detyruar evakuimin e më shumë se 15 mijë personave, sipas raportimeve të mediave lokale.
Autoritetet në Francë dhe Spanjë vijojnë operacionet e emergjencës për të frenuar përhapjen e zjarreve dhe për të mbrojtur banorët, ndërsa kushtet e motit mbeten sfiduese për ekipet që po punojnë në terren.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




