Doganat referojnë në SPAK një skemë falsifikimi, Beja: Dyshime për dokumente false të përdorura në operacione fiktive eksporti drejt BE-së

Ekonomi | 3 muaj më parë

Një skemë e dyshuar falsifikimi dokumentesh, që sipas Doganave Shqiptare ka cenuar interesat financiare të Bashkimit Europian, është referuar për hetim në Prokurorinë e Posaçme.

Sipas Administratës Doganore, bëhet fjalë për dokumente të falsifikuara, të paraqitura si të lëshuara nga autoritetet shqiptare, të cilat dyshohet se janë përdorur për të realizuar operacione fiktive zhdoganimi dhe eksporti nga vendet e Bashkimit Europian.

“Është bërë referimi edhe në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, por njëkohësisht janë njoftuar edhe autoritetet përkatëse të Bashkimit Europian, OLAF-i në këtë rast, për të luftuar në këtë mënyrë paligjshmërinë që kryesisht cenonte interesat e Bashkimit Europian dhe jo të Shqipërisë”, tha Besmir Beja, drejtor i Përgjithshëm i Doganave.

Pas referimit të çështjes në SPAK, Doganat kanë njoftuar edhe Zyrën Europiane Kundër Mashtrimit, OLAF, me qëllim hetimin e plotë të skemës dhe identifikimin e personave përgjegjës. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, tha se përdorimi i dokumenteve të ngjashme me ato zyrtare të administratës shqiptare e bën rastin veçanërisht shqetësues.

“Po përmbushim më së miri edhe funksionin tjetër ligjzbatues që kemi për të luftuar çdo lloj paligjshmërie që ndodh në kufijtë e vendit. Të gjitha operacionet janë kryer në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe, në çdo rast, janë bërë referimet përkatëse, qoftë në prokuritë e zakonshme, qoftë në Prokurorinë e Posaçme”, tha ai.

Sipas kreut të Doganave, gjatë kësaj periudhe administrata ka referuar edhe raste të tjera pranë organeve të drejtësisë, pas zbulimit të shkeljeve në Portin e Durrësit, Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe pika të tjera doganore.

Në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, janë goditur raste që lidhen me shkelje doganore, si edhe dyshime për trafikim të lëndëve narkotike, ndërsa procedimet janë ndjekur sipas kompetencës nga prokuroritë dhe SPAK.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme