Nufi: Marrëveshja me SHBA për mbrojtjen është transparente, siguria kombëtare nuk duhet të bëhet debat politik

Aktualitet | 3 muaj më parë

Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, mbrojti marrëveshjen e financimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pajisje ushtarake, duke hedhur poshtë pretendimet e opozitës se ajo është miratuar në kundërshtim me Kushtetutën.

Nufi u shpreh se nuk beson se marrëveshja është votuar në shkelje të Kushtetutës, ndërsa i cilësoi të papranueshme qëndrimet e Partisë Demokratike. Sipas tij, siguria kombëtare nuk duhet të jetë objekt i përplasjeve politike.

“Unë nuk besoj se është votuar ne shkelje të Kushtetutës përkundrazi mendoj që qëndrimet e PD-së janë totalisht janë të papranueshme. Siguria kombëtare nuk është çështje debati politik. Ky nuk është sinjal i mirë, të atakohet një marrëveshje që financon mbrojtjen është e papranueshme. Nuk duhet të këtë krah politik, mesazhi që çojmë është shumë i gabuar. Raporti jonë me SHBA, tregon se Shqipëria është aleat i besueshëm, i cili është krah aleancës politikisht, qëndrojmë të bindur në vlerat që ne kemi”, u shpreh ministri.

Duke folur për përmbajtjen e marrëveshjes, Nufi sqaroi se një pjesë e detajeve mbeten konfidenciale për shkak të natyrës së programit amerikan që financon projekte të mbrojtjes.

Ai theksoi se financimi nga SHBA përdoret për blerjen e pajisjeve teknologjike dhe ushtarake për Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa pagesat kryhen drejtpërdrejt te prodhuesit e sistemeve, çka sipas tij garanton transparencë të plotë.

“Për shkak të natyrës së marrëveshjes detaje të kësaj natyre janë konfidenciale dhe kjo lidhet me faktin se zyra që menaxhon të tilla programe në SHBA i ka parakusht që të gjitha të dhënat që lidhen me miratimin e kredisë dhe kushtet financiare apo me detaje specifike ushtarake të mos bëhen publike. Marrëveshja është shumë e thjeshtë, financimi me SHBA për blerjen e pajisjeve për sistemet teknologjike apo ushtarake që lidhen me Ministrinë e Mbrojtjes ajo pagesë shkon tek prodhuesit e sistemeve. Nuk ka asnjë cikël, është krejt transparente, e pastër dhe e qartë”, tha ai.

Ministri u ndal edhe te procedura e shqyrtimit në Kuvend, duke theksuar se anëtarët e Komisionit të Ekonomisë dhe Komisionit të Sigurisë Kombëtare kanë pasur kohën e nevojshme për të lexuar marrëveshjen, edhe pas miratimit të procedurës së përshpejtuar.

“Mënyra si është diskutuar, anëtarët e komisionit të ekonomisë dhe sigurisë kanë pasur mundësi ta lexojnë në kuvend. I është dhënë koha e mjaftueshme pas miratimit të procedurës së përshpejtuar që të shqyrtohej, të lexohej dhe ajo marrëveshje që është lexuar atë ditë, do ishte e njëjta edhe po të kishte kaluar ai afati që pretendon PD. Marrëveshja monitorohet rreptësishtë nga SHBA”, tha Nufi. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme