Mbyllet ndërmarrja shtetërore në Pashaliman, asetet i kalojnë Forcës Detare, Ministria e Mbrojtjes merr përsipër 69.6 milionë lekë detyrime

Aktualitet | 3 muaj më parë

Qeveria ka vendosur mbylljen e plotë të ndërmarrjes shtetërore “Kantieri i ndërtimit dhe riparimit të anijeve” (KNRA), me seli në bazën detare të Pashalimanit në Orikum, Vlorë.

Vendimi i miratuar me propozim të ministrit të Mbrojtjes shfuqizon aktin e vitit 2015 që krijoi këtë ndërmarrje, duke rikthyer të gjithë infrastrukturën dhe burimet njerëzore nën varësinë e drejtpërdrejtë ushtarake.

Kalimi i pasurive dhe punonjësve te Forca Detare

Sipas vendimit zyrtar, pesë pasuritë paluajtshme të ndërmarrjes (me numra kadastralë nga 150/22 deri në 150/26) në Pashaliman i kalojnë automatikisht në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes, posaçërisht për nevojat e Komandës së Forcës Detare.

Në të njëjtën kohë, të gjithë punonjësit ekzistues dhe asetet e tjera logjistike të kantierit do të transferohen plotësisht brenda strukturave ushtarake të ushtrisë.

“Punonjësit dhe asetet e ndërmarrjes shtetërore ‘Kantieri i ndërtimit dhe riparimit të anijeve’, pas mbylljes, transferohen në strukturën e Komandës së Forcës Detare.”, citohet nga vendimi i qeverisë.

Procesi i dorëzimit dhe inventarizimit të pronave do të kryhet përmes një komisioni të përbashkët me përfaqësues nga Forca Detare dhe vetë ndërmarrja që po mbyllet.

Mbulimi i borxheve nga buxheti i Mbrojtjes

Mbyllja e ndërmarrjes do të shoqërohet edhe me shlyerjen e detyrimeve financiare që ajo kishte akumuluar deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi. Borxhi total i llogaritur kap shifrën e 69 640 394 lekëve.

Të gjitha efektet financiare për shlyerjen e këtyre detyrimeve do të përballohen drejtpërdrejt nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, brenda programit buxhetor “Forcat e luftimit”.

Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Mbrojtjes, Komanda e Forcës Detare dhe vetë drejtuesit e ndërmarrjes shtetërore në proces mbylljeje.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme