Katër të arrestuar në Vlorë e Sarandë, policia sekuestron drogë dhe armë

Aktualitet | 3 muaj më parë

Policia e Vlorës ka finalizuar brenda 24 orëve dy operacione të rëndësishme kundër armëmbajtjes pa leje dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke vënë në pranga katër persona dhe sekuestruar armë, drogë dhe automjete.

Në Vlorë, operacioni i koduar “Siguria” çoi në arrestimin e 30-vjeçarit E. O., i cili u kap në parkingun e një lokali në Lungomare. Gjatë kontrollit, në çantën e tij u gjetën një pistoletë me 6 fishekë, si dhe sasi të vogla kokaine dhe kanabisi.

Ndërkohë, në Sarandë, pas hetimeve proaktive trejavore, u finalizua operacioni “Transportuesit”. Tre persona, A. N. 31 vjeç, banues në Lukovë, me precedent penal, K. J. 26 vjeç, banues në Sarandë dhe A. C. 30 vjeç, banues në Lukovë, u kapën në flagrancë pranë urës së Kakomesë duke lëvizur me dy automjete.

Në njërin prej tyre u gjetën 5 kilogramë kanabis, i destinuar për shitje në Sarandë dhe Ksamil. Dyshohet se K. J. përdorte automjetin tjetër për të monitoruar rrugën dhe për të sinjalizuar praninë e policisë.

Nga operacionet u sekuestruan gjithsej një armë zjarri pistoletë, 5 kilogramë kanabis, një sasi kokaine, 6 fishekë dhe dy automjete. Hetimet vijojnë për të dokumentuar të plotë aktivitetin kriminal dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë.

Njoftimi i plotë i policisë:

Finalizohen brenda 24 orëve të fundit dy operacione policore, “Siguria” dhe “Transportuesit”, për goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Vihen në pranga 4 shtetas.

Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, 5 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, një sasi kokaine, 6 fishekë dhe 2 automjete.

1-Në Vlorë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Siguria”, u arrestua në flagrancë shtetasi E. O., 30 vjeç, banues në Vlorë. Ai u kap në parkingun e një lokali në zonën e Lungomares, ku gjatë kontrollit fizik në çantën e tij u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri pistoletë me 6 fishekë, 2.18 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë dhe 4.46 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa.

2-Në Sarandë, si rezultat i hetimeve proaktive 3-javore të kryera me metoda speciale të hetimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSh-së dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Sarandës, finalizuan operacionin policor të koduar “Transportuesit”.

Gjatë operacionit u vunë në pranga 3 shtetas:

– A. N., 31 vjeç, banues në Lukovë, me precedent penal në fushën e narkotikëve dhe për armëmbajtje pa leje;

– K. J., 26 vjeç, banues në Sarandë, me precedent penal në fushën e narkotikëve;

– A. C., 30 vjeç, banues në Lukovë.

Tre shtetasit u kapën në flagrancë në rrugën “Nivicë–Sarandë”, pranë urës së Kakomesë, duke lëvizur me dy automjete. Gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte A. N., ku udhëtonte edhe A. C., u gjetën dhe u sekuestruan 5 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, e dyshuar se transportohej me qëllim shitjen në Sarandë dhe Ksamil.

Nga hetimet dyshohet se shtetasi K. J. lëvizte me automjetin tjetër për të monitoruar itinerarin dhe për të sinjalizuar praninë e shërbimeve të Policisë.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme