Plagosja e turistit italian në Tiranë, procedohen 8 të mitur

Aktualitet | 3 muaj më parë

Policia e Tiranës ka identifikuar dhe proceduar penalisht tetë të mitur, të moshës 13 deri në 15 vjeç, të dyshuar si të përfshirë në konfliktin ku mbeti i plagosur lehtë një turist 20-vjeçar italian.

Ngjarja ndodhi më 29 korrik 2026, pranë Pallatit të Kulturës në Tiranë, ku i riu italian pësoi lëndime të lehta trupore pas një konflikti.

Sipas Policisë, menjëherë pas ngjarjes u kryen veprime intensive hetimore, të cilat çuan në identifikimin, shoqërimin dhe procedimin në gjendje të lirë të tetë të miturve, të moshës 13-15 vjeç, të dyshuar si pjesëmarrës në konflikt.

Blutë bëjnë me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në ngjarje, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme hetimore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme