Migrantët- BE gati të shqyrtojë propozimet. Italia, Danimarka dhe Holanda janë në krye të nismës për qendra riatdhesimi

Europë | 3 muaj më parë

Bashkimi Evropian mund të hapë një kapitull të ri në politikën e migracionit. Komisioni Evropian ka bërë të ditur se është i gatshëm të shqyrtojë propozimet e vendeve anëtare për krijimin e qendrave të riatdhesimit jashtë territorit të Unionit, me qëllim përshpejtimin e kthimit të migrantëve që nuk përfitojnë të drejtë qëndrimi.

Nisma mbështetet nga disa vende anëtare, mes tyre Italia, Danimarka dhe Holanda, të cilat prej kohësh kërkojnë masa të forta të menaxhimit të migracionit të parregullt.

Debati nuk është i ri, pasi edhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka qenë në qendër të diskutimeve evropiane pas marrëveshjes me vendin tonë, Shqipërinë, për ngritjen e qendrave të pritjes për migrantët e kapur në det nga autoritetet italiane.

Komisioni Evropian thekson se çdo projekt i ri duhet të respektojë legjislacionin evropian dhe garancitë për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut. Brukseli, nga ana tjetër, ka sqaruar se aktualisht nuk ka një model unik evropian dhe se është në pritje të propozimeve konkrete nga shtetet anëtare për të vlerësuar fizibilitetin dhe bazën ligjore të tyre.

Ndërsa presioni migrator vijon të mbetet një nga sfidat kryesore të Bashkimit Evropian, diskutimi mbi qendrat e riatdhesimit pritet të jetë një nga temat kryesore në takimet e ardhshme të ministrave të Brendshëm të vendeve anëtare.

Ndërkaq, përkrahësit e nismës argumentojnë se ajo do të forcojë kontrollin e kufijve dhe do të përshpejtojë procedurat e kthimit, ndërsa për kritikët, çdo model i ri duhet të garantojë respektimin e plotë të të drejtave të migrantëve.

RTSH

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme