Greqia në luftë me flakët, zjarri në Atikën Perëndimore mbetet aktiv, rindezjet e vatrave sfidojnë zjarrfikësit

Për të pestën ditë radhazi, zjarri i madh që shpërtheu në Beoti në Greqi dhe u përhap në Atikën Perëndimore vijon të jetë jashtë kontrollit, duke djegur mbi 130 mijë hektarë tokë.
Megjithëse erërat e forta të ditëve të fundit janë dobësuar, ndryshimi i vazhdueshëm i drejtimit të tyre po vështirëson ndjeshëm përpjekjet e zjarrfikësve për të vënë flakët nën kontroll. Rindezjet e vazhdueshme të zjarreve mbeten sfida kryesore për ekipet që po operojnë në terren.
Mëngjesin e së martës (4 gusht), operacionet janë përqendruar në tre vatra kryesore: në pjesën veri-verilindore përballë Psathës, në trekëndëshin mes zonave të Shën Paraskevit, Shën Nektarit dhe majës së malit Kithaironas; në pjesën jugperëndimore mes Psathës dhe Lumpës; si dhe në jug, në zonën nga Kandili drejt Megarës.
Gjatë gjithë natës, zjarrfikësit dhe vullnetarët zhvilluan një betejë intensive në një perimetër të gjerë për të frenuar rindezjet, ndërsa vatra më problematike u regjistrua në sektorin jugperëndimor, midis Psathës dhe Lumpës.
Paralelisht, në bashkëpunim me Shërbimin Pyjor, po vijojnë punimet për krijimin e brezave mbrojtës dhe izolimin e zonave të prekura nga zjarri.
Në operacion janë angazhuar 450 zjarrfikës, 126 automjete, 22 ekipe këmbësore dhe dhjetëra vullnetarë me mjete ujore. Nga ajri, gjatë ditës së djeshme, morën pjesë në operacionet e shuarjes 34 mjete ajrore, përfshirë 23 avionë dhe 11 helikopterë, tre prej të cilëve u përdorën për koordinimin e ndërhyrjeve.
Sipas analizës së të dhënave satelitore të mekanizmit evropian Copernicus EMS, deri të hënën sipërfaqja e djegur në Atikë dhe Beoti kishte kaluar 130 mijë hektarë.
Autoritetet greke paralajmërojnë se edhe gjatë ditës së sotme rreziku për zjarre mbetet shumë i lartë në Atikë, Evia dhe Kios, ndërsa Shërbimi Zjarrfikës vijon të jetë në gatishmëri të plotë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




