Kontrolle në Durrës dhe Golem për zhurmën në lokale, në terren edhe policë italianë

Aktualitet | 3 muaj më parë

Policia ka shtuar kontrollet në zonat turistike për të monitoruar nivelin e zhurmës dhe respektimin e orarit të muzikës në lokale, në kuadër të masave për mbarëvajtjen e sezonit veror.

Gjatë patrullimeve, ku janë përfshirë edhe partnerë të Policisë Italiane, janë kryer matje të nivelit të zhurmës në ambiente të hapura dhe të mbyllura në Durrës, Golem dhe Plazh.

Sipas rezultateve të kontrolleve, niveli i zhurmës ka qenë brenda kufijve të lejuar, ndërsa nuk janë konstatuar shkelje të normave të parashikuara nga ligji.

Përveç verifikimeve në terren, efektivët kanë zhvilluar edhe takime me pronarë dhe administratorë lokalesh, duke u kërkuar të respektojnë orarin e zhvillimit të aktiviteteve muzikore dhe të shmangin ndotjen akustike, veçanërisht në zonat e banuara.

Kontrollet janë fokusuar edhe te respektimi i fashës orare të lejuar për muzikën në ambiente të hapura, e cila është nga ora 11:00 deri në mesnatë.

Policia ka bërë të ditur se monitorimet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit turistik, ndërsa u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast që cenon qetësinë publike ose shkel rregullat në fuqi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme