Ndryshime në fondin për biznesin e mesëm dhe të vogël, KNSH miraton lehtësimin e financimit prej 100 milionë lekësh për vitin 2026

Ekonomi | 3 muaj më parë

Komisioni i Ndihmës Shtetërore (KNSH) ka publikuar vendimin përmes të cilit miratohen disa ndryshime thelbësore në skemën e mbështetjes financiare për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) për vitin 2026. Ndryshimet vijnë pas kërkesës së paraqitur nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) me qëllim harmonizimin teknik me VKM-në Nr. 225 dhe lehtësimin e procedurave të aplikimit për sipërmarrjet private.

Klasifikimi si ndihmë “De Minimis” dhe mbulimi i shpenzimeve deri në 100%

Ndryshimi kryesor lidhet me rikategorizimin e skemës në kuadrin ligjor të ndihmës “De Minimis”. Ky fleksibilitet procedural i lejon AIDA-s të mbulojë deri në 100% të kostove të miratuara për projekte digjitale dhe zhvilluese, pa kaluar kufirin maksimal prej 2,500,000 lekësh për një aplikues. Përmes këtij vendimi, financimi publik do të mbështesë më me efikasitet krijimin e platformave të tregtisë elektronike, proceset e ambalazhimit, etiketimit dhe certifikimit të standardeve.

“Në rastin konkret, këto kushte plotësohen në nivel skeme pasi ndihma individuale maksimale nuk e kalon vlerën 2,500,000 lekë, kohëzgjatja e skemës është e kufizuar brenda vitit buxhetor 2026, dhe ndihma jepet në formën e grantit direkt.”, thuhet në vendim.

Sipas vendimit të kryesuar nga Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, fondi i përgjithshëm i vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit kap vlerën e 100,000,000 lekëve.

Detyrimet e AIDA-s dhe tavanet e financimit

Për të garantuar mbrojtjen e konkurrencës dhe përputhshmërinë me ligjin për ndihmën shtetërore, KNSH i ka caktuar agjencisë zbatuese (AIDA) disa detyrime kyçe administrative.

Tavani 3-vjeçar prej 14 milionë lekësh

AIDA detyrohet të verifikojë përmes vetëdeklarimit se asnjë përfitues nuk e kalon kufirin maksimal prej 14,000,000 lekësh të ndihmave të marra gjatë tre viteve të fundit financiare.

Transparenca dhe raportimi

Agjencia duhet të njoftojë KNSH-në brenda 15 ditëve nga nënshkrimi i çdo marrëveshjeje granti, si dhe të dorëzojë një raport vjetor mbi impaktin e fondit brenda datës 31 mars të çdo viti.

Ruajtja e dokumentacionit

Të gjitha të dhënat mbi grantet e akorduara duhet të ruhen për një periudhë 10-vjeçare.

“Plani i ndihmës ka fokus rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit privat, forcimin e potencialit eksportues të vendit. Bazuar në këtë skemë, ndërmarrjet aktive në të gjithë sektorët e ekonomisë do të sigurojnë një avantazh ekonomik në formë të mbështetjes me grante direkte.”, thuhet në vendim.

Vendimi ka hyrë në fuqi pasi sot është botuar edhe në Fletoren Zyrtare, duke i hapur rrugë lëvrimit të fondeve dhe zbatimit të aplikimeve për sipërmarrjet shqiptare.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme