Ambasada e Gjermanisë falënderon strukturat e shpëtimit në Vlorë për evakuimin e katër turistëve gjermanë

Aktualitet | 3 muaj më parë

Ambasada e Gjermanisë në Shqipëri ka shprehur mirënjohjen zyrtare ndaj Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, forcave lokale të emergjencave dhe vullnetarëve të Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik, pas përfundimit me sukses të dy operacioneve të kërkim-shpëtimit në jug të vendit. Gjatë këtyre ndërhyrjeve, u bë e mundur nxjerrja e sigurt e katër shtetasve gjermanë që kishin hasur vështirësi gjatë eksplorimit në terren malor.

  • Profesionalizmi i autoriteteve dhe sfidat e terrenit

    Përmes një deklarate publike, përfaqësia diplomatike vlerësoi reagimin e shpejtë të autoriteteve dhe guximin e ekipeve të përfshira në terren. Operacionet u zhvilluan në kushte sfiduese, të kushtëzuara nga terreni i thyer, temperaturat e larta dhe errësira. Megjithatë, bashkërendimi i forcave bëri të mundur lokalizimin e shpejtë të të dy grupeve të alpinistëve duke shmangur pasoja më të rënda.

    “Falë reagimit të tyre të shpejtë dhe angazhimit të palodhur, katër shtetas gjermanë u shpëtuan me sukses gjatë dy operacioneve të ndryshme shpëtimi në ditët e fundit. Pavarësisht terrenit të vështirë, errësirës dhe temperaturave të larta, ekipet e shpëtimit arritën të lokalizonin dhe të shpëtonin të dy grupet e alpinistëve.”, thekson ambasada e Gjermanisë në Shqipëri.

    Apeli i sigurisë për turistët dhe alpinistët

    Krahas falënderimeve për strukturat e shtetit shqiptar dhe vullnetarët, Ambasada shfrytëzoi rastin për t’u drejtuar një apel të gjithë vizitorëve të huaj dhe të apasionuarve pas ecjeve në natyrë. Rëndësia e përgatitjes paraprake, pajisjeve të duhura dhe informimit mbi kushtet meteorologjike u theksua si element thelbësor për shmangien e incidenteve në zonat malore të Shqipërisë.

    “Planifikoni udhëtimin tuaj me kujdes, informohuni për kushtet e motit, vishni rroba të përshtatshme dhe merrni gjithmonë ujë të mjaftueshëm dhe mbrojtje nga dielli. Një sistem i besueshëm GPS dhe një telefon celular i karikuar mund të jenë jetikë në rast emergjence.”, apelon ambasada e Gjermanisë në Shqipëri.

    /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme