28 vatra zjarri në 24 orë/ MIA: 5 mbeten aktive, evakuohen 4 familje në Mallakastër

Situata e zjarreve në vend vijon të jetë nën monitorim, pasi gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 28 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten ende aktive. Agjencia për Media dhe Informim ka bërë me dije se për izolimin dhe shuarjen e vatrave janë angazhuar 631 forca operacionale, 64 automjete zjarrfikëse, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe një avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Ndërhyrjet vijojnë kryesisht në zonën e Dajtit, në Mallakastër dhe në qarkun e Elbasanit, ku autoritetet raportojnë se situata është nën kontroll ose në fazën e izolimit. Në Mallakastër, për shkak të përhapjes së flakëve, janë evakuuar përkohësisht katër familje për arsye sigurie, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara në vatrat e tjera aktive.
Ndërkohë, zjarret në Kostren të Beratit, Pocest të Dibrës dhe në zonën Stegopull–Selckë e Levenishtë në Gjirokastër janë shuar dhe vijojnë të mbahen nën monitorim nga ekipet në terren. MIA informon se nga zjarret e regjistruara janë dëmtuar rreth 34.5 hektarë sipërfaqe me barishte, shkurre, pisha dhe pyll të përzier.
Autoritetet paralajmërojnë se për ditën e sotme rreziku për përhapjen e zjarreve mbetet i lartë në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat dhe Gjirokastër.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




