Grabitja e argjendarisë në Paskuqan, autorët morën flori me vlerë mbi 1.5 mln lekë. Shmangën rrugët kryesore dhe lëvizën nëpër rrugica
Policia vijon hetimet për zbardhjen e grabitjes së argjendarisë në Paskuqan, ngjarje e ndodhur të mërkurën (5 gusht). Sipas burimeve nga grupi hetimor, dy autorët, të cilët ishin të maskuar, kanë ndjekur të njëjtin itinerar si gjatë mbërritjes në vendngjarje, ashtu edhe pas largimit.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë ka rezultuar se autorët kanë lëvizur nëpër rrugicat periferike të Kamzës, duke shmangur rrugët kryesore, një itinerar që, sipas hetuesve, tregon se ata e njihnin mirë zonën.
Burimet bëjnë me dije se autorët kanë marrë vetëm sende floriri, me një vlerë që dyshohet se i kalon 1.5 milionë lekë. Hetuesit dyshojnë se grabitja ka qenë e mirëorganizuar dhe se autorët kishin informacion të saktë për vendndodhjen e bizhuterive me vlerë brenda argjendarisë. Dyshohet që njëri prej autorëve është paraqitur si klient disa ditë përpara grabitjes, me qëllim vëzhgimin e ambienteve dhe identifikimin e sendeve me vlerë.
Grupi hetimor nuk përjashton mundësinë që dy autorët të kenë pasur edhe bashkëpunëtorë të tjerë, ndërsa nga verifikimet e deritanishme rezulton se ata nuk janë të njëjtët persona të përfshirë në grabitjen e një argjendarie tjetër në Kamëz më 16 maj, pasi autorët e asaj ngjarjeje janë arrestuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




