Vijojnë punimet për ndërtimin e Muzeut Hebraik në Vlorë, Gonxhja: Do të ruajë kujtesën e bashkëjetesës shqiptaro-hebraike

Kulturë | 3 muaj më parë

Vijojnë punimet për ndërtimin e Muzeut Hebraik në Vlorë, një projekt që po realizohet në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), në kuadër të rehabilitimit të Qendrës Historike të qytetit.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka publikuar pamje nga punimet, teksa thekson rëndësinë e projektit për ruajtjen dhe promovimin e kujtesës historike të komunitetit hebre në Shqipëri.

Muzeu i ri do t’i kushtohet historisë dhe trashëgimisë së komunitetit hebre në vend, me synim dokumentimin dhe promovimin e historisë së bashkëjetesës mes popullit hebre dhe atij shqiptar.

Sipas ministrit Gonxhja, muzeu pritet të pasurojë hartën muzeore të Shqipërisë, duke sjellë një destinacion të ri kulturor dhe edukativ, që do t’u shërbejë jo vetëm vizitorëve, por edhe brezave të rinj në njohjen dhe ruajtjen e kësaj pjese të rëndësishme të historisë.

“Vijojnë punimet për ndërtimin e Muzeut Hebraik Vlorë, një projekt që po realizohet në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro–Amerikan për Zhvillim (AADF), si pjesë e rehabilitimit të Qendrës Historike të qytetit të Vlorës.

Ky muze do t’i kushtohet historisë së komunitetit hebre në Shqipëri dhe do të ruajë e promovojë kujtesën e bashkëjetesës së popullit hebre me popullin shqiptar, duke pasuruar hartën muzeore të vendit me një destinacion të ri kulturor dhe edukativ për brezat e sotëm dhe të ardhshëm”, shkruan Ministri.

Në të njëjtën kohë, ai bën me dije se po planifikohet edhe një ndërhyrje e integruar në Muzeun Etnografik të Vlorës.

“Paralelisht, po planifikohet një ndërhyrje e integruar që do të përfshijë edhe Muzeun Etnografik të Vlorës, një monument me vlera të veçanta historike, gjendja e të cilit kërkon ndërhyrje të menjëhershme restauruese dhe një koncept të ri muzeal, në përputhje me standardet bashkëkohore”, shkruan Gonxhja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme