SHBA dhe Irani dakordësi për zgjatjen e armëpushimit, vijojnë negociatat për afatin e ri
Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë rënë dakord në parim për zgjatjen e armëpushimit 60-ditor, i cili skadon më 17 gusht. Lajmi është bërë i ditur nga burime qeveritare pakistaneze, sipas të cilave të dyja palët kanë informuar ndërmjetësit për gatishmërinë e tyre për të vijuar armëpushimin.
Megjithatë, Uashingtoni dhe Teherani ende nuk kanë arritur një marrëveshje përfundimtare për kohëzgjatjen e zgjatjes së armëpushimit, ndërsa negociatat vijojnë.
Marrëveshja fillestare u ndërmjetësua nga Pakistani dhe u formalizua në qershor, me synimin për t’i hapur rrugë një marrëveshjeje përfundimtare mes dy vendeve. Por bisedimet janë përballur me mosmarrëveshje të forta, veçanërisht për garancitë e sigurisë dhe lundrimin në Ngushticën e Hormuzit.
Pikërisht kjo rrugë strategjike detare është kthyer në një prej pikave kryesore të tensionit. Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë “kontrollin e plotë” të Ngushticës së Hormuzit.
“Ata nuk e kanë kontrollin, ne e zotërojmë atë”, është shprehur Trump, duke paralajmëruar një përgjigje të ashpër në rast të ndonjë sfide nga Irani.
Ndërkohë, Irani dhe Omani po vijojnë bisedimet për rikthimin e lundrimit normal në këtë korridor të rëndësishëm të tregtisë globale të energjisë.
Në paralel, Teherani po riorganizon strukturën e tij ushtarake dhe të sigurisë pas dëmeve të shkaktuara gjatë luftimeve. Lideri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka bërë gjashtë emërime të larta brenda 48 orëve, në një përpjekje për të konsoliduar zinxhirin e komandimit pas humbjeve të mëdha në udhëheqjen ushtarake.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



