Zjarret në Europë, Von der Leyen: Në gatishmëri të lartë, presioni po rritet në Shqipëri, Belgjikë, Portugali dhe Spanjë

Aktualitet | 3 muaj më parë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka ngritur alarmin për situatën e zjarreve në Evropë, duke theksuar se kontinenti vijon të jetë në gatishmëri të lartë për shkak të përhapjes së vatrave.

Në një postim në rrjetet sociale, von der Leyen shkruan se presioni po rritet në Belgjikë, Shqipëri, Portugali dhe Spanjë, ndërsa thekson rolin e sistemeve evropiane të monitorimit në përballimin e situatës.

“Evropa vijon të jetë në gatishmëri të lartë për zjarret në pyje”, shkruan presidentja e Komisionit Evropian.

Sipas saj, sistemi satelitor Copernicus po mbështet tashmë operacionet e hartëzimit në Spanjë, Greqi, Itali, Gjermani dhe Serbi, duke ofruar të dhëna për situatën e zjarreve në terren.

“Përmes Qendrës së Emergjencave, Evropa po monitoron nga afër zjarret në të gjithë kontinentin”, thekson von der Leyen.

Në fund të mesazhit, ajo nënvizon edhe mekanizmin e përbashkët evropian të reagimit ndaj emergjencave. “Mekanizmi i Mbrojtjes Civile është aty sa herë që një vend i kërkon Evropës solidaritetin e saj”, thekson von der Leyen.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme