Pakti i Mbrojtjes së Mekës, Erdogan bisedë telefonike me Trump: Të përdorim maksimalisht diplomacinë për konfliktin Iran-SHBA

Botë | 3 muaj më parë

Presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun amerikan Donald Trump, gjatë së cilës ka kërkuar përdorimin maksimal të diplomacisë për zgjidhjen e konfliktit mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Sipas informacioneve të bëra publike nga pala turke, Erdogan deklaroi se Ankaraja do të vijojë të mbështesë përpjekjet për paqe dhe shprehu gatishmërinë e Turqisë për të kontribuar në procesin e negociatave.

Gjatë bisedës, presidenti turk e informoi gjithashtu Trumpin mbi Paktin e Mbrojtjes së Mekës, të lidhur mes Turqisë, Arabisë Saudite dhe Pakistanit. Erdogan e cilësoi marrëveshjen si “një deklaratë të fortë për stabilitetin rajonal”. Në fokus të bisedës ishte edhe situata në Gaza. Erdogan shprehu shqetësimin për atë që e përshkroi si rritje të veprimeve izraelite ndaj palestinezëve dhe akuzoi Izraelin për sulme ndaj popullsisë në Gaza.

Sipas presidentit turk, këto zhvillime po ndodhin në një kohë kur pritet zbatimi i fazës së dytë të planit të paqes për Gazën. Deri në publikimin e këtyre informacioneve, Shtëpia e Bardhë nuk kishte dhënë një deklaratë zyrtare mbi telefonatën mes dy presidentëve.

Biseda vjen në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ndërsa Turqia kërkon të luajë një rol ndërmjetësues dhe të nxisë zgjidhje diplomatike për konfliktet në rajon.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme