Vrasja e turistit në Ksamil/ Fshihej në bagazhin e makinës së dy shtetasve turq, arrestohet në Levan autori i dyshuar
Arrestohet në Levan 29-vjeçari Sokrat V., autor i vrasjes së një shtetasi portuges (fillimisht u raportua shtetas francez) rreth 20 vjeç, ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit në Ksamil. 29-vjeçari është lokalizuar nga Policia ndërsa ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një 31-vjeçare, shtetase turke, ndërsa në automjet udhëtonte si pasagjer edhe një 38-vjeçar, shtetas turk.
Blutë kishin ngritur pika kontrolli në akset kryesore të vendit, pas largimit të tij nga vendngjarja. Sipas informacioneve siguruar nga gazetarja Afrovita Hysaj, Sokrat V. ishte pjesë e stafit të lokalit ku ndodhi ngjarja. Mësohet se edhe në momentin e largimit nga zona ai kishte ende të veshur uniformën e punës. Ngjarja e rëndë u shënua rreth orës 05:15, turisti. u gjet pa shenja jete në shezlongët e plazhit, përpara një lokali në zonën turistike të Ksamilit.
“Kapja e tij u bë si rezultat i koordinimit dhe bashkëpunimit të shërbimeve të Policisë të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Fier. Autori i dyshuar u kap nga shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e forcës “Shqiponja” të DVP Fier, në pikën e përbashkët të kontrollit të ngritur për kapjen e tij, në aksin rrugor “Levan-Fier”.
Autori i dyshuar, shtetasi S. V., 29 vjeç, ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një 31-vjeçare, shtetase turke, ndërsa në automjet udhëtonte si pasagjer edhe një 38-vjeçar, shtetas turk. Autori i dyshuar dhe dy shtetasit turq u shoqëruan në DVP Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale. Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 20-vjeçari është goditur me thikë pas një konflikti për motive të dobëta. Pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar menjëherë nga vendi i krimit.
29-vjeçari nuk është i panjohur për autoritetet, pasi rezulton se është arrestuar dhe dënuar në vitin 2024 në Angli për trafik narkotikësh.
Sipas raportimeve të mediave britanike në atë kohë, 29-vjeçari u dënua me pesë vite burg nga Gjykata e Kurorës në Kembrixh, pasi pranoi një sërë akuzash, mes tyre dy akuza për posedim të lëndëve narkotike të klasit A me qëllim furnizimin, dy akuza për drejtim të rrezikshëm të automjetit, posedim kanabisi dhe drejtim automjeti nën efektin e drogës. Ngjarja që çoi në arrestimin e tij në Angli kishte ndodhur më 30 prill. Policia e trafikut në Kembrixh e pikasi 29-vjeçarin duke drejtuar një Toyota RAV4 të vjedhur. Kur efektivët tentuan ta ndalonin, ai u largua me shpejtësi.
Sipas raportimeve, Sokrat V., ndaloi për të lënë një pasagjer, ku braktisi automjetin dhe u largua me vrap, ndërsa dyshohet se hodhi një pako me kokainë në një shkurre. Pas ndjekjes dhe kapjes nga policia, gjatë kontrollit 29-vjeçarit iu gjetën dhe sekuestruan 560 paund, ndërsa rezultoi pozitiv edhe për drejtim automjeti nën efektin e drogës.
Por 29-vjeçari rezulton se ka qenë i përfshirë edhe në një tjetër ngjarje në Kent. Më 13 prill të vitit 2024 ku teksa po drejtonte një automjet me targa të klonuara, 29-vjeçari është konstatuar nga autoritetet dhe nuk i është bindur urdhrit për ndalim. Pas ndjekjes nga policia, makina e tij u përmbys dhe pas kontrollit iu gjetën qese me kokainë dhe targa. Në vendimin e Gjykatës së Kurorës në Kembrixh, gjyqtari e dënoi me pesë vite burg, pasi 29-vjeçari kishte pranuar akuzat ndaj tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




